Video/ Bayern pëson dy gola në shtesë, por fiton, triumfon edhe Dortmund

5 Min Read

Bayern Munich vazhdon marshimin në krye të Bundesligës, duke siguruar një fitore spektakolare 4-3 ndaj Kielit në xhiron e 20-të të kampionatit. Bavarezët dominuan për 90 minuta, por dy gola të pësuar në kohën shtesë i vendosën në vështirësi në sekondat e fundit. Harry Kane shënoi dy herë, ndërsa Musiala dhe Gnabry vulosën fitoren.

Nga ana tjetër, Borussia Dortmund fitoi 2-1 në transfertën ndaj Heidenheim, falë golave të Guirassy dhe Beier. Në një tjetër ndeshje të rëndësishme, Stuttgart u mposht 1-2 në shtëpi nga Borussia Mönchengladbach, duke pësuar humbjen e dytë radhazi. Freiburg fitoi 1-0 ndaj Bochum, ndërsa St. Pauli dhe Augsburg ndanë pikët me një barazim 1-1.

Bayern Munich – Kiel 4-3

Bayern Munich e nisi fuqishëm ndeshjen dhe dukej se e kishte mbyllur që në minutën e 54-t, kur Gnabry realizoi golin e katërt. Musiala kishte hapur serinë e golave në minutën e 19-të, ndërsa Kane shënoi dy herë (45+1’ dhe 48’). Por Kiel nuk u dorëzua dhe befasoi me një rikthim të papritur: Porath ngushtoi diferencën në minutën e 74-t, ndërsa Skrzybski realizoi dy herë në kohën shtesë (91’ dhe 93’), duke mbajtur tifozët bavarezë në ankth. Gjithsesi, koha nuk mjaftoi për një barazim dhe Bayern ruan vendin e parë me 51 pikë. Bayer Leverkusen, që pret Hoffenheimin, rrezikon të mbetet 9 pikë prapa.

Heidenheim – Borussia Dortmund 1-2

Borussia Dortmund rikthehet te fitorja në kampionat pas një periudhe jo të mirë. Verdhezinjtë kaluan në avantazh me Guirassy në minutën e 33-të, pas një asistimi nga Anton. Në pjesën e dytë, futja në lojë e Beier rezultoi vendimtare, pasi ai shënoi golin e dytë në minutën e 63-të, vetëm pesë minuta pas zëvendësimit. Megjithatë, Heidenheim reagoi shpejt dhe ngushtoi diferencën me Honsak në të 66-n, duke krijuar një fund dramatik. Dortmund rezistoi dhe arriti të marrë fitoren e parë në kampionat për vitin 2025, pas humbjeve të fundit. Për Heidenheim, kjo ishte disfata e tretë radhazi, duke rrezikuar seriozisht mbijetesën.

Stuttgart – Borussia Mönchengladbach 1-2

Stuttgart pëson humbjen e dytë radhazi dhe komplikon garën për një vend në Champions League. Gladbach kaloi në avantazh në minutën e 25-të me Ngoumou, i asistuar nga Weigl. Megjithatë, vendasit barazuan falë një autogoli të Elvedi-t në minutën e 49-të. Kur dukej se ndeshja do të përfundonte në barazim, Kleindienst shënoi për Borussia Mönchengladbach në minutën e 82-të, duke siguruar një fitore me vlerë të madhe për skuadrën e tij, që tashmë është vetëm dy pikë prapa Stuttgartit.

Bochum – Freiburg 0-1

Pas tre humbjeve radhazi, Freiburg rikthehet te fitorja, duke mposhtur 1-0 Bochumin, i cili mbetet i fundit në renditje me vetëm 10 pikë pas 20 ndeshjeve. Goli i vetëm i sfidës u realizua nga Sildillia në minutën e 34-t, pas një asistimi të Günter. Edhe pse vendasit bënë disa zëvendësime për të kërkuar barazimin, Freiburg mbrojti rezultatin dhe tani është në garë për një vend në kupat europiane, duke u barazuar me Gladbach dhe duke mbetur vetëm dy pikë prapa Stuttgartit.

St. Pauli – Augsburg 1-1

E vetmja ndeshje e orës 15:30 që përfundoi në barazim ishte ajo mes St. Pauli dhe Augsburgut. Skuadra vendase kaloi në avantazh falë një autogoli të Banks, por në minutën e 83-të, Komur shënoi për Augsburgun, duke siguruar një pikë të rëndësishme për ekipin e tij, që ruan diferencën prej pesë pikësh në renditje.

Lexo më tej: Playoff makth për Manchester City në Champions: do të përballet me Real ose Bayern

Ky ishte një raund me rezultate të rëndësishme për Bundesligën, me Bayern Munich që vazhdon të mbajë ritmin drejt titullit, ndërsa gara për zonën europiane mbetet e hapur dhe mjaft e tensionuar.

Share This Article
Leave a Comment