Akademia e Sigurisë rrumpallë, kryeministri Rama shkund institucionin dhe paralajmëron policinë për abuzimin me gjobat

4 Min Read

Kryeministri Edi Rama konfirmoi investigimet që gazeta “SOT” është marrë gjerësisht së fundmi me përdhosjen e ligjit të arsimit të lartë nga Rektori Ilirjan Mandro, i cili, me veprimet e tij, duke shkelur ligje, VKM apo akte të tjera nënligjore e ka futur këtë institucion në një paligjshmëri totale. Në një pjesë të mirë të investigimit tonë, disa probleme janë trajtuar edhe më thellësisht nga raporti i KLSH, të cilët kërkuan urgjentisht nga Ministri i Brendshëm shkarkimin e menjëhershëm të Mandros. Në takimin e zhvilluar dje në ambientet e ministrisë së Brendshme ku u prezantua anketimi për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vend dhe besimit te Policia e Shtetit, kreu i qeverisë u shpreh qartë se Akademia e Sigurisë ka shumë probleme. Rama paralajmëroi transformime dhe ndryshime të forta në këtë institucion. Rama tha se na duhet një Akademi Sigurie e nivelit europian që sot ende nuk e kemi.

Paralajmërimi

Ai kishte një porosi drejtpërdrejtë për drejtorin e policisë së shtetit, Ilir Proda. “Duhet të jetë drejtuesi i policisë së shtetit në qark e në nivelin tjetër të kërkojë mbarëvajtjen mbledhjen e efikasitetin e këtyre këshillave. Këto këshilla, tani me vendim qeverie, raportojnë tek këshilli kombëtar i sigurisë në komunitet, prandaj duhet të bëhen aktivë, të vërtetë dhe konkretë, zoti drejtor i Përgjithshëm. Është e rëndësishme të rritet vëmendja e drejtpërdrejtë nga niveli qëndror në vendor dhe të për forcimin e llogaridhënies së ndërsjelltë. Përpara pak kohësh ndodhi një tragjedi që preku të madh e të vogël. Humbi jetën një 14 vjeç. U ngrit një histeri e madhe kundër policisë së shtetit, absurditet total, ndërkohë ne u angazhuam në një këshillim dhe falë atij këshillimi kemi plan të ri për sigurinë të konsultuar ngushtësisht me policinë e shtetit. Është e rëndësishme që ai plan të vihet në jetë dhe çelësi është funksionimi i këshillit dhe këshillave vendorë”

Kush vë shumë gjoba ikën

Pas marrjes së udhëzimeve të qarta nga kryeministri Edi Rama, drejtori Ilir Proda, u kërkoi efektivëve që të mos përqendrohen në sasinë e gjobave, por të ndëshkojnë ata që përfshihen në ngjarje të rrezikshme rrugore. “Shërbimi i Policisë Rrugore duhet të jetë model, në performancë, në komunikim, në profesionalizëm dhe në ndjenjën humane për të ndihmuar përdoruesit e rrugës në nevojë. Nuk dua sasi masash administrative dhe cilido nga ju që do t’i masë treguesit e punës me sasinë e masave administrative, automatikisht do ta lëviz nga detyra. Dua cilësi në punë dhe të ndëshkoni ata që vërtet janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore, ata që xhirojnë gomat dhe shkaktojnë ndotje akustike duke u kthyer në shqetësim për qytetarët. Ata drejtues automjetesh që parkojnë mbi trotuare, duke penguar lëvizjen e këmbësorëve dhe të nënave me karroca me fëmijë, si dhe ata që parkojnë në rrugë, duke penguar lëvizjen e lirë të automjeteve”, tha ai.

Share This Article
Leave a Comment