Shqiptarët financuan nga xhepi 160 mln euro produkte farmaceutike më 2024

2 Min Read

Vit pas viti, kostot e shpenzimeve nga xhepi për blerjen e barnave po shtohen për arsye se nevojat për mjekim të një popullsie në plakje rriten dhe nga ana tjetër fondet publike për rimbursimin e barnave nuk po ndryshojnë. Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 u importuan mbi 28,1 miliardë lekë produkte farmaceutike (281 milionë euro). Nga ana tjetër, fondi i rimbursimit të medikamenteve vitin e kaluar kishte një tavan prej 12 miliardë lekësh. Siç shihet, shteti ka kompensuar 120 milionë euro nga 281 milionë euro që kanë harxhuar qytetarët shqiptarë për mjekime. Rreth 160 milionë euro për produkte farmaceutike janë paguar nga të ardhurat vetjake.

Importi i produkteve farmaceutike në vlerë shënoi rritje vjetore 5% vitin e kaluar, ndërsa fondi i planifikuar për rimbursimin e barnave me 2024 është 12 miliardë lekë ose rreth 1% më i ulët se fakti i vitit të kaluar. Në 2024 fondi për rimbursimin e barnave zuri 42.6% të vlerës së importeve nga 45% që zinte një vit më parë. Importet e barnave në vlerë kanë shënuar rritje me 16% ndërmjet 2019 dhe 2024, por burimet nga tregu pohojnë se nevojat e popullatës për produkte farmaceutike janë shumë më të larta se importet. Por Shqipëria si një vend me nivel të lartë të varfërisë në popullatë dhe me të ardhurat më të ulëta në Europë nuk mund të ketë akses në terapitë inovative. Në konsultimin e fundit të marrëveshjes me Shqipërinë Fondi Monetar Ndërkombëtar e këshilloi qeverinë të zgjerojë financimet publike për sektorët e shëndetësisë dhe arsimit.

Share This Article
Leave a Comment