Në një seancë që ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit, Kuvendi miratoi ndryshimet e parashikuara në aktin normativ të qeverisë, që i hap rrugë bonusit të pranverës për pensionistët. Ky bonus që jep qeveria Rama do të shpërndahet për pensionistët në prag të zgjeedhjeve të përgjithshme parlamentare me qëllim që Partia Socailiste të “thithë” vota kryesisht nga mosha e tretë.
Dy çështje të rendit të ditës nuk morën votat e nevojshme për t’u miratuar.
Bëhet fjalë për dërgimin e mandatit të deputetit socialist Vullnet Sinaj në Gjykatës Kushtetuese dhe ngritjen e një komisioni hetimor për projektin zhvillimor të Portit të Durrësit.
Po ashtu, Kuvendi ka miratuar edhe shtyrjen e afatit të aplikimit për statusin e Investitorit Strategjik. Sipas ndryshimeve, aplikuesit kanë afat deri në dhjetor 2026.
Gjithashtu, Kuvendi votoi pro letërnjoftimit digjital, duke vijuar kështu politikat e ndërmarra nga qeveria në kuadër të strategjisë së digjitalizimit. Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, nga foltorja e Kuvendit, duke prezantuar risitë e letërnjoftimit digjital, tha se ai do të ketë një rol kyç në luftën ndaj krimit të organizuar, por edhe ndaj mashtrimeve kibernetike.
- Votimi sipas rendit të ditës:
Miratohet Akti Normativ për disa ndryshime në buxhetin e vitit 2024. Akti normativ votua me 76 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim
Një tjetër projektligj që do të diskutohet është projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Mjedis i pastër dhe me aftësi ripërtëritëse, Deti Blu””. Kjo marrëveshje u miratua me 74 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim
Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë. Kjo nisëm ligjore u miratua me 74 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim
Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për investimet e strategjike në Republikën e Shqipërisë”; Kjo nisëm ligjore u miratua me 73 vota pro, 1 kundër dhe 0 abstenim.
Projektligji për një shtesë në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”; Kjo nisëm ligjore u miratua me 68 vota pro, 1 kundër dhe 3 abstenim.
Projektvendimi “Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë në procedurat e (i) miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit”; (ii) shitjes së koncesionit të menaxhimit të portit kompanisë Schapha d. o. o. ; dhe (iii) ndërtimit të portit të ri në Porto Romano”. Kjo nisëm ligjore nuk u miratua. Ajo mori 1 votë pro, 1 abstenim dhe 73 kundër.
Në rend dite është parashikuar të shqyrtohet edhe projektvendimi për “Për dërgimin e mocionit në gjykatën kushtetuese”, për mandatin e deputetit të Partisë Socialiste Vullnet Sinaj. Kjo nisëm ligjore nuk u miratua. Ajo u votua kundër nga 61 deputetë, 12 abstenim dhe 0 pro.
Miratimi i ndryshimeve në rregulloren e Kuvendit u miratua me 74 pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.