SHBA- Të paktën tetëmbëdhjetë trupa janë gjetur të pajetë deri më tani pasi një aeroplan Air Force One u përplas me një helikopter të Forcave Ajrore të Ushtrisë pranë Aeroportit Kombëtar Ronald Reagan në Uashington. Pas përplasjes avioni i pasagjerëve dhe helikopteri përfunduan në lumin Potomac.
“Fluturimi 5342, i cili u nis nga Wichita, Kansas (ICT) për në Uashington, DC (DCA), u përfshi në një aksident,” tha American Airlines në një deklaratë për shtyp, duke sqaruar se avioni i operuar nga filiali i saj PSA kishte “60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit” në bord.
Sipas të dhënave të para të lëshuara nga Administrata Federale e Aviacionit (FAA), avioni i pasagjerëve CRJ700 u përplas në ajër me një helikopter Sikorsky H-60 Black Hawk teksa iu afrua aeroportit Ronald Reagan në periferi të kryeqytetit. Mediat amerikane kanë publikuar edhe pamjet nga momenti i përplasjes tragjike.
Në një konferencë të mbajtur pak më herët, zyrtarët e qytetit dhe shefat e zjarrfikësve dhe policisë nuk e zbuluan numrin e viktimave, ndërsa kryebashkiakja e Uashingtonit Muriel Bowser konfirmoi vetëm numrin e pasagjerëve në aeroplan dhe helikopter.
Megjithatë, senatori Roger Marshall, i cili përfaqëson Kansasin, nga ku ishte nisur avioni i pasagjerëve Bombardier CRJ700, la të kuptohet se të gjithë në bord janë të vdekur, duke vënë në dukje gjatë një konference për shtyp se është shumë e vështirë të humbësh 60 qytetarë në të njëjtën kohë.
Bowser tha se zjarrfikësit po punojnë intensivisht në errësirë dhe të ftohtë, në kushte jashtëzakonisht të pafavorshme. Operacioni pritet të zgjasë disa orë, tha shefi i zjarrfikësve të aeroportit Reagan. Operacioni përfshin 300 punonjës të ekipeve të kërkim-shpëtimit, të cilët po përpiqen të gjejnë të mbijetuarit nga avioni dhe helikopteri në ujërat e akullta të Potomac.
Të afërmit e pasagjerëve që nxituan në aeroport thanë se zyrtarët nuk iu dhanë pothuajse asnjë informacion, duke u ankuar se mësuan më shumë nga mediat. SHBA nuk ka pasur asnjë aksident të regjistruar avioni pasagjerësh që nga shkurti 2009.