35-Vjetori i Demonstratës së Heshtur: Jamarber Malltezi nderon Vasil Dhimitrin dhe trimat e tjerë të 28 Janarit 1990

3 Min Read

Në 35-vjetorin e demonstratës së heshtur të 28 Janarit 1990, Jamarber Malltezi ka nderuar organizatorët e kësaj ngjarjeje historike, përfshirë Vasil Dhimitrin. Ai kujton ditën e protestës, kur, si 17-vjeçar, nuk e dinte se po zhvillohej një demonstratë dhe, pasi doli, u përball me forcën e dhunshme të policisë.

Malltezi thekson se vetëm më vonë mori vesh se protesta ishte organizuar nga Dhimitri dhe disa trima të tjerë, ndërsa kujton persekutimin e tyre nga regjimi komunist. Për Malltezin, këta individë janë heronj dhe vizionarë që ndihmuan qytetarët të kuptonin batakun ku ndodheshin dhe t’i kundërviheshin regjimit të diktaturës.

Statusi i plote Jamarber Malltezit:

Në 35-vjetorin e demonstratës së heshtur nderoj Vasil Dhimitrin dhe trimat e tjerë organizatorë të demonstratës së heshtur të 28 Janarit 1990. 17-vjeçar asokohe nuk di se ku dëgjova që nuk duhet të dilnim atë mbrëmje se ish njoftuar për protestë të heshtur. Pse ishte e ndaluar unë si “armik i partisë” dola dhe kur mbërrita tek Partizani i panjohur u shtanga nga prania e madhe e forcave policore me skafandra e shkopinj gome. Nuk arrita të njihja ndokënd pasi brenda 1 minute sambistët filluan të godisnin njerëzit pa paralajmërim. U larguam me dhunë e pa kuptuar se kush e organizoi. Vetëm vonë mora vesh se organizator paska qenë Vasil Dhimitri e disa trima të tjerë dhe se hetues dhe persekutor paska qenë vjehri i Fugës së Edi Ramës që si atëherë edhe tani flasin për drejtësi dhe ligj. Interesant qenka fakti se Amnesty International paska reaguar mbi 5 muaj më pas (tregon izolimin e tellë të Shqipërisë!) dhe ka kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut. Për atë rregjim Vasil Dhimitri ishte keqbërës, “armik i partisë dhe pushtetit popullor” ose “kreu veprime që bien ndesh me moralin komunist” siç shkruante hetuesi i sigurimit Arben Kraja për protestuesit kunder komunizmit në 1990, por për njerëzit e lirë Vasil Dhimitri e organizatorët e tjerë janë heronj, trima dhe vizionarë që na ndihmuan të gjithë të tjerëve të shihnim batakun ku ishim, të reflektonim dhe të ngriheshim kundër banditëve që kishin rrënuar vendin dhe shkatërruar familjen duke vendos vëllain të spiunonte vëllanë. ✌️

Share This Article
Leave a Comment