Bintsouka shpëton Partizanin në shtesë: Daja mbetet pa fitore në derbi edhe këtë herë

4 Min Read

Derbi i kryeqytetit mes Partizanit dhe Dinamos përfundoi me një barazim dramatik 1-1, në një ndeshje plot emocione dhe tension deri në minutat e fundit. Sfida e vlefshme për javën e 22-të të Kategorisë Superiore u luajt në stadiumin “Arena e Demave”, ku të dy skuadrat luftuan fort për tre pikët, por në fund ndanë nga një pikë secila. Mandela kaloi blutë në avantazh, në shtesë, pastaj, Bintsouka vendosi ndeshjen në ekilibër.

Pak emocione e shumë gabime

Që nga minuta e parë, loja u zhvillua me një intensitet të lartë, ku të dyja skuadrat u përpoqën të kontrollonin mesfushën dhe të krijonin raste të rrezikshme. Dinamo e nisi takimin me një qasje më sulmuese, duke shfrytëzuar krahët dhe duke u përpjekur të vinte në vështirësi mbrojtjen e Partizanit. Pavarësisht disa rasteve të krijuara nga Dinamo, portieri Qirko u tregua i vëmendshëm dhe shmangu çdo rrezik të mundshëm. Nga ana tjetër, Partizani u përqendrua më shumë në mbrojtje dhe kërkonte të godiste në kundërsulme, por pa sukses përballë një mbrojtjeje solide të Dinamos.

Dinamo gjen golin, Partizani reagon në fund

Pasi pjesa e parë u mbyll pa gola, Dinamo arriti të zhbllokonte rezultatin në minutën e 50′ me anë të Itodo Mandela. Sulmuesi nigerian lëshoi një goditje të fuqishme nga jashtë zone, duke mposhtur portierin Qirko, i cili nuk arriti ta ndalte topin që përfundoi në rrjetë. Mandela vazhdon kështu garën e tij me Zabërgjan për shënuesin më të mirë të Bluve. Pas këtij goli, Dinamo mori kontrollin e lojës dhe menaxhoi mirë avantazhin, duke mos lejuar Partizanin të krijonte raste të rrezikshme. Portieri Teqja, nga ana tjetër, kishte pak punë, pasi sulmi i Partizanit nuk po arrinte të gjente hapësirat e duhura.

Minutat kalonin dhe gjithçka dukej se po shkonte drejt fitores për Dinamon, por në kohën shtesë, Partizani nuk hoqi dorë nga kërkimi i golit të barazimit. Pikërisht në minutën e 92′, Bintsouka arriti të barazojë shifrat me një goditje të saktë me kokë pas një harkimi nga krahu i djathtë. Ky gol i vonë i dha Partizanit një pikë të rëndësishme dhe vulosi rezultatin përfundimtar në 1-1. Bintsouka tashmë është golashënuesi më i mirë i të kuqve në këtë sezon.

Situata në renditje pas derbit

Me këtë barazim, Partizani ruan vendin e parë në renditje me 38 pikë, edhe pse ka të njëjtën kuotë pikësh me Dinamon, e cila falë këtij rezultati arrin të parakalojë Vllazninë në vendin e dytë. Kuqeblutë, megjithatë, kanë mundësinë të rikuperojnë distancën në ndeshjen e tyre ndaj Egnatias që zhvillohet nesër.

Lexo më tej: Bylis “trampolina” e trajnerëve debutues të Tiranës: Shkëmbi fiton 0-3, si Magani

Derbi i kryeqytetit tregoi edhe një herë rivalitetin e madh mes këtyre dy skuadrave, me Dinamon që ishte më afër fitores, por Partizani demonstroi karakter deri në fund duke marrë një pikë të vlefshme. Gara për titull mbetet e hapur dhe çdo pikë e mbetur do të jetë vendimtare në këtë fazë të kampionatit.

Share This Article
Leave a Comment