Vrasja e Lulzim Vishës, në një nga banesat e kontrolluara në Kamëz gjendet një pistoletë me silenciator

2 Min Read

KAMËZ- Detaje të reja janë zbuluar lidhur me hetimet për vrasjen e Lulzim Vishës, 48-vjeçari i cili u gjet i vrarë me armë zjarri në makinë paraditen e sotme. 

Sipas informacioneve në një banesat e kontrolluara në Kamëz është gjetur një pistoletë me silenciator. Arma e zjarrit është dërguar për kryerjen e ekspertizës, ndërsa nuk dihet nëse është përdorur në vrasjen e Vishës. Autorët e vrasjes ende nuk janë identifikuar, ndërsa automjeti i tyre tip “Porsche” me targa të vjedhura është gjetur i djegur në Zall Her. Brenda makinës u gjet edhe një armë zjarri.

Ngjarja e rëndë u raportua mëngjesin e kësaj të premte, ku 48-vjeçari Lulzim Visha, u gjet pa shenja jete brenda një automjeti në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner. Visha ishte postier në një postë private në Tiranë, dhe dyshohet se ishte nisur për në punë në momentin që është ekzektuar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Dyshohet se ai është qëlluar me silenciator pasi banorët e zonës janë shprehur se nuk kanë dëgjuar të shtëna. Ndërkohë në vendin e ngjarjes policia tha se janë gjetur 12 gëzhoja pistolete. 

Pista paraprake e hetimit është hasmëria, pasi mësohet se viktima është vëllai i Besnik Vishës i cili ka vrarë me armë zjarri në vitin 1997 Refik Domi për motive të dobëta në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë. Autorët ende të paidentifikuar vijojnë të jenë në arrati, ndërsa dyshohet se janë larguar me një makinë tip “Porche” ngjyrë gri. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve si dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Share This Article
Leave a Comment