Në Parlament si peng vetëm i interesave të qytetarëve! |

5 Min Read

Nga Elton Laska

Qarku i Lezhës i dominuar përgjatë këtyre tre dekadave nga e djathta, prej vitesh në Parlament ka çuar deputetë që janë peng të kryetarit të partisë dhe jo peng të votës së qytetarëve të fisëm të këtij qarku me potenciale njerëzore të jashtëzakonshme.

Ky përfaqësim i cunguar bëri që nga një qark i djathtë, e majta të fitojë terren dhe pushtet në Bashki që as nuk e kishte ëndërruar si Kurbini dhe Lezha, e kjo sepse të zgjedhurit në Parlament votuesit e tyre i kishin bërë mish për top për interesat e partisë.

Përballë këtij realiteti e në kushtet kur qytetarët e Qarkut Lezhë kanë shpallur në kërkim kandidatët, vendosa të jem në lartësinë e pritshmërive të qytetareve të Lezhës, Kurbinit tim e Mirditës, dhe të garoj për deputet në zgjedhjet e 11 Majit 2025.

I diplomuar në teknika mjekësore dhe jurisprudencë kurrë nuk e kam parë si opsion largimin nga vendlindja ime Kurbini, pasi gjithmonë kam besuar se këtë vend o e bëjmë ne bijtë dhe bijat e tij, o se bën kush tjetër dhe këtë bindje nuk do e ndryshoj deri në fund të jetës.

Unë dua të rris fëmijët e mi e të plakem këtu, ndaj do të luftoj deri në fund për interesat e trevës sime, si Avokat dhe Aktivist, beteja për Urën e Zogut, spitalin, gjykatën apo betejat e tjera lokale janë dëshmi e faktit se me interesat e qytetarëve dhe qytetit tim nuk bëj kompromise.

Aty ku dua të rris fëmijet e mi, dua të punoj që fëmijët e mi të mos rriten vetëm në këtë tokë të begatë.

Unë nuk pres emërime, se ne jemi një qark që nuk kemi raporte dashamirëse as me urdhërimin, as me diktimin, por kam zgjedhur të dal të kërkoj vota në të gjithë territorin e qarkut Lezhë, duke nisur nga Mirdita, vendorigjina ime, tek Kurbini i zemrës, ku kemi mbi 200 vite si familje e deri në Lezhën e Fishtës që është bërë Kryeqyteti i Qarkut tonë.

Unë e di që Lezha është ekspozuar përballë krimit dhe diskriminimit, ndaj vendosa t’i dal zot krahinës sonë dhe zërin për këto probleme ta ngre në Parlament së bashku me deputetë të tjerë të Nismës “Shqipëria Bëhet”.

Unë dua që Lezha, Kurbini e Mirdita, të mos jenë në kronika lajmesh për parcela kanabisi, por për trashëgiminë e tyre historike, folklorin, kulturën dhe bukuritë natyrore të jashtëzakonshme.

Unë dua që emigrimi të mos jetë e vetmja alternativë për të rinjtë e trevës sonë, pasi përmes turizimit dhe vizionit ky vend mund të jetë i begatë për mijëra familje të qarkut tonë.

Nuk ka asnjë arsye që të rinjtë tanë të punojnë në sektorin e hoteleri – turizmit as në Greqi, as në Itali, pasi Shëngjini, Talja, Gotulla, Patoku apo zonat tona malore kanë potenciale të jashtëzakonshme, teksa ky sektor i ndërlidhur me blegtorinë, bujqësinë dhe turizmin fetar, mund të gjenerojë të ardhura që banorët të jetojnë me dinjitet.

Unë do jem zëri i tyre në Parlament se plagën e emigrimit e kam në familje si çdo banor i qarkut tonë, ndaj kjo më shtyn të jem më i fortë në këtë luftë, ku përballë kemi ata që kanë 35 vite me të njëjtat fytyra dhe të njëjtat premtime që nuk i mbajtën kurrë.

Kam një apel zemre për qytetarët e Kurbinit, Mirditës dhe Lezhës së Besëlidhjes, dilni votoni masivisht, votoni me zemër, pasi vota masive është ilaç ndaj tjetërsimit dhe vota është një armë që ju vret ju, vetëm nëse nuk e përdorini.

Na u bashkoni ta bëjmë Lezhën, ta bëjmë Shqipërinë.

*Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, si dhe kandidat për deputet në Qarkun e Lezhës

Share This Article
Leave a Comment