Broja një rebus, në mbrojtje komplikohen gjërat: Sylvinho ka 24 orë për t’i zgjidhur

3 Min Read

Debutimi kundër Anglisë në Wembley merr gjithë vëmendjen, me teknikun në ankth për të mos pësuar surpriza të hidhura përpara ndeshjes. Sylvinho në fakt ka ende dilema të forta për formacionin, të shtuara edhe nga shqetësimet muskulare të pësuara nga Ismajli e Kumbulla. Sidoqoftë, të dy do të jenë gati për sfidën e 21 marsit dhe braziliani do të zgjedhë atë që i jep më shumë garanci fizike.

Të luash kundër Anglisë është e komplikuar në vetevete, por situata vështirësohet edhe më shumë, kur mungesave që nuk do t’i doje, i shtohen edhe ngërçet muskulare të seancave stërvitore të vigjiljes së ndeshjes. Në këtë pikë, Sylvinho po jeton mes dilemave që shtohen e sigurive që pakësohen, për të ndërtuar formacionin anti-Angli. Shumë emra përpara që të çojnë në ngasje, duke filluar nga Broja. Por lojtari ka një sezon i dëmtuar dhe vjen me 10’ në këmbë nga hera e fundit që doli jashtë i padisponueshëm.

Sylvinho do të donte ta kishte gati, por nuk mund të rrezikojë një tjetër dëmtim duke e hedhur në fushë nga fillimi. Kështu, më i mundshëm Manaj në qendër, me Asanin që duket i vetmi që përpara ka sigurinë e fanellës titullare. Në të majtë është edhe trafiku më i madh ku Bajrami niset vërtetë favoritë, por mungesa e thirrjes së Seferit ka hapur skenarë jo indiferentë për Uzunin e Hoxhën.

Prapavija mes shumë dilemave

Nuk është vetëm sulmi, në fakt, që shqetëson brazilianin. Strakosha ka një kondicion fizik jo optimal, por dita ditës rikuperon forcë për të qenë mes shtyllave në Wembley. Prapavija është ajo që duhet arnuar dhe që rrezikoi të humbte në 24 orë dy pedina të rëndësishme si Ismajli e Kumbulla. Për lojtarin e Empolit dalja para kohe nga seanca e fundit stërvitore fatmirësisht mori përgjigje pozitive nga rezonanca magnetike. Kështu, me të gjitha gjasat Ismajli do të jetë në krah të kapitenit Gjimshiti, por fakti që si ai ashtu dhe Kumbulla nuk po stërviten me ngarkesë të plotë mund të nxjerrin në skenë Ajetin.

Lexo më tej: Kuqezinjtë mbërrijnë në Londër, shqetëson mbrojtja: stërvitja zyrtare në Wembley

Krahët janë një problem më vete: Balliu e Hadroji, pa shumë minuta, janë gati të luajnë në të djathtë, ndërsa majtas është në dispozicion vetëm Aliji, gjithnjë nëse Sylvinho nuk vendos të përdorë një djathtosh në krahun e kundërt.

E vetmja siguri…

Siguria e teknikut është e gjitha në mesfushë me Asllanin, Laçin e Ramadanin favoritë, edhe pse ish-lojtari i Partizanit, shqetësohet për fanellën e titullarit nga shoku i skuadrës te Lecce, Berisha. Janë natyrisht edhe 48 orë përpara sfidës me Anglinë, ku siguritë duhet të marrin vendin e dilemave, për të tentuar rezultatin e parë pozitiv të historisë kundër Tre Luanëve.

Share This Article
Leave a Comment