HEC-i u dëmton banesat, nuk verifikohen dëmet për banorët në emigrim |

3 Min Read

“Devoll Hydropower” është një shoqëri e regjistruar në Shqipëri, pjesë e Grupit norvegjez Statkraft që ka ndërtuar dhe operon me Hidrocentralet e Banjës dhe Moglicës, në kuadër të projektit hidroenergjetik të Devollit, bazuar në një koncesion të miratuar nga Parlamenti shqiptar.

Si pasojë e këtij investimi në fshatin Kodër Zgjupë u dëmtuan banesat, pasi nga punimet dhe eksperimentet nëntokësore krijuan shkarje. Disa banorë ankohen, se u janë dëmtuar banesat dhe janë bërë verifikimet, kur ata kanë qenë në emigrim.

“Në 2018-ën ne ishim në listë për të marrë shtëpi si gjithë të tjerët. Shtëpi sepse këtu ëhstë një tokë e lëvizshme. Kemi letër nga bashkia që nuk mund të jetojmë. Është toka që lëviz në të gjithë fshatin si pasojë e hidrocentralit”, tha një banore.

“Po ta shikosh këtë gjeografikisht del zero në fund të liqenit dhe prandaj është e lëvizshme. Pas ndërtimit të hidrocentralit u krijuan këto probleme. Unë isha në vitin 2018 dhe thashë që dua një leje për riparimin e shtëpisë, ai tha leje nuk japim sepse shtëpia jote është në një vend të pabanueshëm. Specialistët që kanë bërë verifikimet kanë qenë të vetë kompanisë”, tha një banor.

Banorët shprehen njëzëri se ata që ishin prezent përfituan, kurse ata që ishin në emigrim jo.

Kryetari i bashkisë, Besian Ajazi thotë se e ka kërkuar tre herë zgjidhjen e problemit të banesave të këtyre banorëve.

“Si pasojë e rrëshqitjeve të tokës është dëmtuar dhe nuk mund të jetë e banueshme, si pasojë e ndërtimit të këtij hidrocentrali. ‘Devoll Hydropower’ nuk duhet të kishte përjashtuar në mënyrë absolute familjet të cilat ishin në emigracion. E drejta e pronës është një e drejtë e padiskutueshme për të gjithë qytetarët pavarësisht se ishin në emigracion. Duhet t’u ishte ndërtuar të gjithë qytetarëve. Në momentin që e kam marrë unë si detyrë e kam gjetur si problematikë dhe e kam vënë në tavolinë për qëllimin e mirë që t’i japim një zgjidhje sa më shpejt. Tre herë e kam kërkuar unë si kryetar bashkie këtë gjë, që të ulemi,” tha kryetari i bashkisë, Besian Ajazi./tvklan

Share This Article
Leave a Comment