TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka marrë nën hetim policët e burgjeve të cilët transferuan kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn nga paraburgimi në Durrës për në Gjykatën e Posaçme. Sipas raportimeve Veliaj ka përdorur telefonin e njërit prej policëve për të bërë një telefonatë. Ndërkohë gjatë marrjeve në pyetje, oficeri i burgjeve e ka pranuar një gjë të tillë dhe ka deklaruar se e kishte bërë nga frika.
Më 13 mars, Apeli i Gjykatës së Posaçme la të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” të caktuar ndaj kryebashkiakut Veliaj nga shkalla e parë e GJKKO-së. Veliaj kishte kërkuar lirimin nga burgu kundrejt garancisë pasurore, gjë që u hodh poshtë nga Apeli për shkak të provave të reja që SPAK ka dorëzuar në seancën gjyqësore.
Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj u arrestua në zyrën e Bashkisë më 10 shkurt si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bashkëshortja e kryebashkiakut, Ajola Xoxa është lënë në masë sigurimi “detyrim paraqitje”.
Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga personat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të kundërligjshme.