Policia e Shtetit e ashtuquajtur e re, por që kontrollohet nga gjenerata e vjetër!

3 Min Read

Opinion nga Igli Çelmeta/ Gazetar

-Gara farsë në Policinë e Shtetit dhe si gënjeu Ministria e Brendshme se do të kemi një gjeneratë të re.
-Si po shkelet ligji dhe po anashkalohet konkursi për të mbajtur në gjirin e Policisë gjeneratën e vjetër. Pse nuk zhvillohet garë për drejtorët e departamenteve dhe zv.drejtorin e përgjithshëm?

Më 16 Tetor 2024 u miratua rregullorja nga Këshilli i Ministrave për përzgjedhjen e kandidatit për zëvendësdrejtor të përgjithshëm, drejtor të departamentit, drejtor të drejtorisë vendore dhe shef të komisariatit në policinë e shtetit.

Çfarë ndodhi?

Pas miratimit të rregullores dhe hapjes së garës u zgjodhën vetëm shefat e komisariateve dhe drejtorët e qarqeve në të gjithë vendin.
Ndërsa kur kanë kaluar 5 muaj nga miratimin i rregullores ende nuk është zhvilluar gara për përzgjedhjen e drejtorëve të departamenteve dhe zv.drejtorit të përgjithshëm të Policisë. Në postet e rëndësishme, atë të departamentit për Policinë Kriminale, departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, postin e zv.drejtorit të përgjithshëm të Policisë së shtetit dhe departamenteve të tjera në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë nuk është zhvilluar garë dhe konkurs, vijojnë të jenë të njëjtët drejtues. Vetëm në një departament është bërë “garë” dhe është ai i pozicionit të Drejtorit të Departamentit për Shërbimet Mbështetëse, ku është zgjedhur Thodhori Gravani. Një departament pa vlerë që askush nuk e synon, prandaj dhe kanë bërë vetëm aty ndryshim sa për sy e faqe.
Nejse, pyetja që shtrojmë është: Pse nuk u zhvillua e plotë gara në Policinë e Shtetit për të gjitha strukturat, për departamente të rëndësishme si ai i Policisë Kriminale dhe ai i për Rendin dhe Sigurinë Publike dhe zv.drejtor të Përgjithshëm? A po shkelet ligji në mosçeljen e garës në disa pozicione të caktuara? Kush i mban ende në poste drejtuese këta persona të caktuar, kujt i shërbejnë?

Do të thoni, kot është edhe nëse bëhet garë, sepse prapë do të vendosin ata që duan dhe jo sipas meritës, pra garë farsë. Po, e vërtetë, por të paktën të ndryshojnë, siç ndryshuan të gjithë. Pse disa duhet të mbrohen?

P.S. Dhe diçka për kujtesë, dosjet e SPAK nga zbërthimi i deritanishëm i aplikacionit SKYECC kanë treguar se gjenerata e vjetër e Policisë kontrollohej, mbrohej dhe i shërbente krimit.

Share This Article
Leave a Comment