Dy vëllezër janë arrestuar nga uniformat blu gjatë një operacion policor mbrëmjen e së hënës pasi kishin përshtatur banesën për kultivimin e kanabisit.
Në pranga ranë 2 autorët e dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale, të cilët kultivonin bimët në ambientet e kësaj banese, konkretisht vëllezërit me iniciale Sh. M., 38 vjeç dhe F. M., 28 vjeç.
Ndërkohë u procedua në gjendje të lirë babai i tyre, 66 vjeçari me iniciale Z. M., , pasi dyshohet se kishte dijeni për këtë veprimtari të paligjshme dhe nuk e kishte kallëzuar.
Në pranga u vendos edhe punonjësi i OSHEEsë, 29 vjeçari me iniciale E. P., për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar këtë veprimtari kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë elektrike.
Gjatë kontrollit të banesës, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: 20 bimë narkotike Cannabis Sativa, rreth 60 cm të larta, një sasi me lëndë narkotike kanabis të përpunuar, 5 llamba speciale për ndriçim dhe ngrohje, 2 filtra për pastrimin e aromave, 3 ventilatorë freskues, 2 pajisje për matjen dhe rregullimin e temperaturës dhe pajisje të tjera elektrike të përdorura për kultivimin në ambiente të mbyllura.