Dakordësia Trump-Putin për armëpushim, Scholz: Hap i rëndësishëm! Macron: S’mund të ketë paqe pa Kievin në tryezë

2 Min Read

Kancelari gjerman në largim, Olaf Scholz, e përshkroi ndërprerjen e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, të rënë dakord nga Presidenti i SHBA Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin, si një hap të parë të rëndësishëm.

Megjithatë, ai theksoi se hapi i ardhshëm duhet të jetë një armëpushim i plotë.

“Hapi tjetër duhet të jetë një armëpushim i plotë në Ukrainë dhe sa më shpejt të jetë e mundur. Sigurisht që është e qartë se ne të dy biem dakord për këtë,” tha Scholz gjatë një konference për shtyp në Berlin me presidentin francez Emmanuel Macron.

Scholz përsëriti po ashtu se nuk duhet të ketë vendim pa Ukrainën në tryezën e bisedimeve.

Në të njëjtën linjë ishte edhe presidenti francez, duke theksuar se “ne kemi kërkuar paqe që nga dita e parë dhe kjo nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e Ukrainës në bisedime”.

Macron përshëndeti miratimin nga parlamenti gjerman të planit të kancelarit të ardhshëm Friedrich Merz për të rritur shpenzimet shtetërore dhe për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

“Dua t’ju përgëzoj për votimin historik të Bundestagut, i cili është një lajm pozitiv për Gjermaninë dhe Evropën, sepse do t’i lejojë asaj të bëjë më shumë për mbrojtjen dhe investimet,” u tha ai gazetarëve gjatë një konference të përbashkët shtypi me kancelarin gjerman në largim Olaf Scholz në Berlin.

Share This Article
Leave a Comment