Kandidati i Koalicionit Euroatlantik për Shkodrën, Xhevdet Amuli, ka reaguar ndaj deklaratave së Sali Berishës të bëra mbrëmjen e sotme, duke e sfiduar për një sërë çështjesh që lidhen me pazaret politike dhe listat e mbyllura të opozitës së vjetër.
“Pse nuk i pyete shkodranët për futjen e Ilir Metës në listën tënde? Apo për 700 mijë eurot që dy nga kandidatët e tu kanë paguar për të qenë në listën e mbyllur të Shkodrës?”, shkruan Amuli.
Amuli gjithashtu thotë se Berisha është i trembur nga mbështetja në rritje e Koalicionit Euroatlantik, ndërsa thekson se Shkodra nuk do të shitet më për pazare politike.
Reagimi i Xhevdet Amulit:
Doktor, pse nuk i pyete shkodranët për shitjen e bashkisë dhe emërimin e Benet Becit, vartësit tënd dhe të Ramës, si kryetar? Jo për shkodranët, por për interesat tuaja, që i di e gjithë Shkodra.
Doktor, pse nuk i pyete shkodranët çfarë mendojnë për futjen e Ilir Metës në listën tënde, kur SPAK e ka arrestuar për korrupsion dhe fshehje pasurie?
Dhe e fundit për sonte, Doktor, pyet pak degën tënde në Shkodër se kujt ia kanë paguar 700 mijë euro dy nga kandidatët e tu në listën e mbyllur të Shkodrës!
Përgjigjen e di shumë mirë, prandaj je trembur sot.
Nuk do të të lëmë ta shesësh Shkodrën sërish te Rama.
Natën, Doktor!