Kupa e Botës, që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Meksikë, do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të vënë në qendër të vëmendjes futbollin amerikan, një çështje që duket se i intereson veçanërisht presidentit amerikan Donald Trump. SHBA do të kenë një “parapërgatitje” me Kupën e Botës për Klube, ku trofeun do ta dorëzojë vetë presidenti, por ngjarja më e rëndësishme mbetet padyshim Kupa e Botës 2026. Mauricio Pochettino ka vetëm pak muaj që drejton kombëtaren amerikane, por e di mirë se cili është objektivi për këtë kompeticion që do të luhet në shtëpi.
Në një intervistë të gjatë për The Telegraph, ai ka zbuluar se ka patur presione nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të tentuar ta fitojë Kupën e Botës. Trump nuk është ndonjë njohës i madh i futbollit, por shpreson që SHBA-ja të mund të mposhtë konkurrencën e kombëtareve shumë më të forta dhe të fitojë trofeun prestigjioz për herë të parë në histori. Një mision mjaft i vështirë, por trajneri argjentinas nuk e ka frikë sfidën.
Trump dëshiron që SHBA-ja të fitojë Kupën e Botës
Pochettino e mori drejtimin e kombëtares pas largimit nga Chelsea, duke hapur një kapitull të ri në karrierën e tij përpara se të rikthehet në një klub pas përfundimit të kontratës. Ai dëshiron ta çojë SHBA-në në majat e futbollit botëror, edhe pse nuk e kishte kuptuar sa ambicioz ishte plani i Donald Trump. Presidenti amerikan nuk është një tifoz i madh i futbollit, por në takimin e fundit me kreun e FIFA-s Gianni Infantino, pikërisht para syve të teknikut Pochettino, ai bëri një pyetje që vuri të gjithë presionin mbi kombëtaren: “A mund ta fitojmë Kupën e Botës?”
Trump e beson vërtet këtë dhe presidenti i FIFA-s nuk e hodhi poshtë mundësinë, duke rritur pritshmëritë. Pochettino ka mësuar të kuptojë mentalitetin e sportit në SHBA dhe ndien përgjegjësinë për të mos zhgënjyer në Kupën e Botës: “Mendoj se do të ketë shumë presion, sepse ne jemi vendasit. Dhe pastaj, ky është një vend ku mentaliteti është gjithmonë për të fituar. Në çdo sport, në çdo gjë ku amerikanët janë të përfshirë, ata duan të fitojnë”.
Lexo më tej: Video/ Takim dhe marrëveshje historike mes Trump dhe Infantino për futbollin!
Për argjentinasin, kjo është thjesht një motivim më i madh për të bërë mirë, por ai pranon se ndien presionin e presidentit amerikan Trump: “Natyrisht, tani me presidentin tonë që e do presionin, kjo do të jetë diçka e mirë. Po, ne jemi gati të arrijmë një rezultat të madh”.