Bundestagu miraton një paketë historike për mbrojtjen dhe infrastrukturën, ndërsa kundërshtarët e quajnë një “farsë”
Pas debatesh të gjata dhe polemikave të ashpra, Bundestagu më në fund miratoi me dy të tretat e votave një ndryshim kushtetues që do të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si financohet mbrojtja gjermane. Me këtë vendim, frena buxhetore nuk do të kufizojë më shpenzimet për ushtrinë. Për ndryshimet e nevojshme në Kushtetutë votuan pro 513 deputetë, ndërsa 207 votuan kundër; nuk pati asnjë abstenim.
Pjesë e këtij vendimi historik ishte edhe miratimi i një fondi special prej 500 miliardë euro për investime në infrastrukturë dhe klimë, të cilat do të shtrihen në 12 vitet e ardhshme. Investimet synojnë modernizimin e rrugëve, sistemeve energjetike, por edhe shkollave.
Merz: “Është një luftë edhe kundër vendit tonë që ndodh çdo ditë”
Friedrich Merz, kandidati për kancelar nga CDU dhe arkitekti kryesor i kësaj pakete, e paraqiti vendimin si një hap të domosdoshëm për sigurinë kombëtare dhe evropiane, kondicionuar nga lufta e Putinit ndaj Ukrainës. “Është një luftë edhe kundër vendit tonë që ndodh çdo ditë, me sulme ndaj rrjeteve tona të të dhënave, me shkatërrimin e linjave të furnizimit, me zjarrvënie, me vrasje të porositura në territorin e vendit tonë, me spiunim të kazermave dhe me fushata dezinformimi që mashtrojnë shoqërinë tonë,” paralajmëroi Merz.
Merz këmbënguli se Gjermania duhet të jetë e përgatitur për një epokë të re sfidash globale. “Tani duhet ta rindërtojmë aftësinë tonë mbrojtëse thuajse nga e para, me strategji të reja, me armatim të teknologjisë së lartë, me sisteme të automatizuara dhe me mbikëqyrje të pavarur satelitore evropiane, me kontrata të besueshme dhe të planifikueshme që u jepen mundësisht prodhuesve evropianë” tha ai.
Pistorius: “Kjo është një epokë e re për Evropën dhe Gjermaninë”
Në një fjalim që synonte të qetësonte skeptikët, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius (SPD), theksoi se ky vendim nuk bëhet për të militarizuar vendin, por për ta mbajtur atë të sigurt. SPD, e cila mund të jetë partnere në qeverinë e ardhshme, kishte kërkuar që krahas borxheve për mbrojtjen, të miratohej edhe borxhi për infrastrukturën. “Po hyjmë në një epokë të re për Evropën, për Gjermaninë, për NATO-n dhe për brezat e ardhshëm. Sot bëhet fjalë mbi të gjitha për sigurinë e fëmijëve dhe nipërve tanë. Prandaj po propozojmë një paketë të plotë financimi. Kjo siguron që aftësia jonë mbrojtëse të forcohet, pa rrezikuar kohezionin tonë shoqëror,” tha Pistorius.
Boris Pistorius mbi një tank gjatë vizitës në Shkollën e Artilerisë
AfD kritikon ashpër legjitimitetin e vendimit
Shumë deputetë, shumica nga Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) u përpoqën ta ndalonin këtë vendim me kërkesa urgjente në Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se Bundestagu i mëparshëm po përdorej për të cementuar pushtetin e qeverisë së ardhshme. Bundestagu i ri do të konstitutohet të martën e ardhshme, më 25 mars 2025 dhe një e treta e deputetëve të tij përbëhet nga AfD dhe E majta. Këto dy parti e kundërshtojnë fuqimisht këtë paketë, secila për arsye të ndryshme.
Kryetari i AfD-së, Tino Chrupalla, kritikoi vendimin me tone të ashpra: “Bundestagu i 20-të i zgjedhur më parë po përdoret për të forcuar qeverinë e ardhshme federale, sepse vetëm këtu ata kanë shumicën. Edhe pse shumica e deputetëve të rinj janë të pranishëm sot, ky proces mund të ishte bërë me ta,” tha ai. Chrupalla vuri në pyetje legjitimitetin e vendimit. “Dhe ne duhet të pyesim: Ku është Olaf Scholz? Ai ende drejton qeverinë sipas Kushtetutës. A nuk është kjo një farsë?”
Hapi i fundit: Këshilli Federal
Pas miratimit në Bundestag, paketa ligjore duhet të kalojë me dy të tretat e votave edhe në Këshillin Federal, ku pritet të shqyrtohet dhe të hidhet për miratim miratohet të premten e ardhshme, më 21 mars 2025./ DW