Ta shohësh tani, i katandisur në një gjendje të mjerueshme, duke jetuar si i pastrehë dhe me vështirësi në të folur, askush nuk do të thoshte se Patric Hillie ka qenë dikur futbollist. Ai u tërhoq nga futbolli rreth njëzet vjet më parë, pasi ndau dhomën e zhveshjes edhe me një legjendë të futbollit gjerman si Lothar Matthäus. Jeta di të jetë mizore, nuk ka mëshirë për atë që ke qenë, sa famë ke pasur apo për kohën kur gjithçka shkëlqente.
Patric ‘Perle’ Hillie: i pastrehë, i alkoolizuar e me demencë
Në moshën 60-vjeçare, ish-futbollisti gjerman, i njohur nga të gjithë si “Perle”, është vështirë i dallueshëm nga vetja e tij e dikurshme: flokë të thinjur, mjekër e bardhë, shikim i lodhur dhe aftësi e kufizuar për të komunikuar. Sot ai jeton në rrugët e Leipzigut, qyteti ku dikur veshi fanellën e Lokomotive Leipzig. Sipas asaj që dihet, Hillie është në këtë gjendje prej tre vitesh, mes abuzimit me alkoolin dhe përkeqësimit nga demenca.
Lexo më tej: Matthäus kritikon hapur FIFA-n për titullin The Best për Messi: “Nuk duhet ta fitonte ai”
Hillie ishte një nga lojtarët e parë të Lokomotive Leipzig pas rikrijimit të klubit në vitin 2004, pas falimentimit dhe shpërbërjes së tij. Një klub me një histori të lavdishme, kampion i Gjermanisë që në vitin 1903, i cili sot garon në ligat rajonale gjermane. Në atë vit 2004, skuadra nisi nga e para, nga divizioni i fundit, dhe Patric ishte një nga ata që vendosi të mbështeste këtë projekt ringjalljeje. Ai ishte portieri rezervë i ekipit dhe ndau dhomën e zhveshjes me Matthäus në një ndeshje kupe më 13 maj 2005, kur fituesi i Topit të Artë dhe ish-ylli i Interit doli përkohësisht nga pensionimi në moshën 44-vjeçare.
Në Leipzig nuk e kanë harruar
Gjatë kohës që qëndroi në klubin gjerman, Hillie fitoi vlerësimin dhe dashurinë e komunitetit të Leipzig. Por pas tërheqjes nga futbolli, gjërat për të shkuan gjithnjë e më keq, duke u përfshirë në një spirale që e çoi në fund, ku përfundoi si i pa strehë dhe kishte probleme me alkoolizmin dhe demencën. Megjithatë, ish-tifozët e tij nuk e harruan dhe pasi zbuluan kushtet e tij të jetesës, ata u mobilizuan për ta ndihmuar, duke nisur një grumbullim fondesh në platformën “gofundme”, me qëllimin fillestar – të arrihet në shifrën prej 10 mijë eurosh.
Grumbullimi i fondeve për të ndihmuar Hillie
“Përshëndetje të gjithëve, unë dhe disa djem të tjerë po mbledhim fonde për Perlen tonë, i cili fatkeqësisht është goditur rëndë nga fati – ky është teksti që shoqëron grumbullimin e fondeve për Hillie – Alkooli, demenca dhe rruga: kjo është historia e tij. Ne do të dëshironim të provonim t’i gjejmë një apartament, që do ta mobilonim me paratë e mbledhura”. Sepse ata që e duan dhe janë mirënjohës, nuk harrojnë.