Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se sistemi i shitjes së biletave për ndeshjet e Kombëtares Shqiptare ka ndryshuar.
Mësohet se me sistemin e ri, të gjitha biletat do të shiten online dhe një person mund të blejë deri në 4 bileta.
“Në përputhje me praktikat më të mira evropiane, FSHF ka vendosur që të gjitha biletat të shiten online dhe çdo person të ketë mundësinë të blejë maksimumi 4 bileta. Ky sistem është vendosur për të garantuar një proces të hapur dhe të drejtë, ku çdo tifoz ka mundësi të barabartë për të qenë pjesë e mbështetjes së Kombëtares.
Për shumë vite, grupe të ndryshme tifozerike kanë pasur mundësinë të sigurojnë bileta të rezervuara nga FSHF. Megjithatë, me rritjen e kërkesës për bileta dhe dëshirën për të krijuar një qasje më të hapur për të gjithë tifozët shqiptarë, është vendosur që nga tani e tutje biletat të jenë të aksesueshme përmes një procesi të drejtë dhe transparent.
FSHF vlerëson dhe respekton të gjithë ata që kanë mbështetur Kombëtaren ndër vite dhe beson se tifozëria shqiptare, në të gjithë larminë e saj, do të vazhdojë të krijojë atmosferën e zjarrtë që gjithmonë ka dalluar ndeshjet e Kombëtares sonë. Ky vendim nuk synon përjashtimin e askujt, por përkundrazi, garantimin e mundësisë për të gjithë tifozët që duan të jenë pjesë e spektaklit të Kombëtares”, thuhet në njoftimin e FSHF.