Sulmi ndaj “CFO Pharma”/ Çfarë filmuan kamerat e biznesit, dyshohet për dy autorë |

2 Min Read

Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e regjistruar natën e kaluar, ku u sulmua me breshëri kallashnikovi godina e biznesit “CFO Pharma” në pronësi të Nadir Çaushollit, në zonën e Kasharit, buzë autostradës Tiranë-Durrës.

Burime për mediat pranë grupit hetimor bëjnë me dije se kamerat e sigurisë të biznesit kanë filmuar të gjithë ngjarjen, teksa pamjet tashmë janë në duart e Policisë.

Autorët kanë qenë me një automjet, i cili në momentin kur ka kaluar para biznesit, ka filluar dhe breshëria e kallashnikovit drejt fasadës prej xhamave të godinës.

Pasi kanë përfunduar të shtënat, makina ka ndaluar për një moment dhe më pas është larguar në drejtim të rrugës së Vorës. Dyshohet se në automjet kanë qenë dy persona, njëri në rolin e shoferit, ndërsa tjetri në rolin e qitësit.

Mësohet se në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 30 gëzhoja. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.

Duket se autorët kanë dashur t’i përcjellin një “mesazh” Nadir Çaushollit, nisur nga koha kur është sulmuar biznesni dhe duke qëlluar vetëm në pjesën e fasadës.  Deri tani mësohet se grupi hetimor nuk ka asnjë pistë ku po bazohet hetimi dhe asnjë gjurmë nga autorët.

Edhe pse ngjarja dyshohet se ka ndodhur gjatë natës, rreth orës 02:00, Policia e Tiranës deklaroi se njoftimi në sallën operative ka shkuar në orën 08:10 të mëngjesit, pra rreth 6 orë me vonesë. Ky detaj ngre dyshime se ngjarja mund të jetë tentuar të fshihet nga vetë pronari i biznesit Nadir Çausholli.

Sulmohet me breshëri kallashnikovi “CFO Pharma” e Nadir Çaushollit

Share This Article
Leave a Comment