Véronique Rabiot do të bëjë një padi për pankartat dhe koret fyese ndaj saj dhe të birit, Adrien, para, gjatë dhe pas ndeshjes mes Paris Saint-Germain dhe Olympique Marseille. Pati shumë pritshmëri për rikthimin e ish-mesfushorit të Juventusit në “Parc des Princes”, por pritja që i bëri publiku ishte jashtëzakonisht e ashpër: ai dhe nëna e tij, e cila është njëkohësisht edhe agjentja e tij, u bënë objektiv i drejtpërdrejtë i tifozëve parizianë para fillimit të ndeshjes dhe gjatë sfidës që skuadra e Luis Enrique e fitoi 3-1.
Një situatë e rëndë, e cila është duke u diskutuar shumë në Francë prej disa orësh. Por, të hënën pasdite, Rabiot reagoi ashpër përmes një postimi në Instagram, duke sulmuar presidentin e PSG-së, Nasser Al-Khelaifi, si dhe ish-tifozët e tij: “Të shash një nënë dhe një baba të ndjerë… Një ditë, gjithçka duhet paguar. Kjo nuk do t’ju çojë në parajsë, më besoni. Nasser, mund të kesh të gjithë paratë e botës dhe akoma më shumë. Por klasi nuk blihet”.
Nëna e Rabiot kërkoi ndërprerjen e PSG-Marseille
Gjatë një interviste për Radio France, Véronique Rabiot njoftoi se do të paraqesë një padi pasi tifozët e PSG-së shfaqën pankarta fyese dhe brohoritën sharje kundër saj dhe djalit të saj, Adrien: “Sigurisht që do të bëj një padi. Nuk e kuptoj pse ndeshja nuk u ndal. Nuk e kuptoj pse askush nuk u indinjua. Jam vërtet e shokuar, e revoltuar, e indinjuar për atë që mund të thuhet dhe të shkruhet pa pasur asnjë reagim”.
Pankartat përmbanin fyerje të rënda si: “Pasioni nuk ka moshë, kurvë nga nëna tek i biri”, ose “Besnikëri për burrat, tradhti për kurvat. E tillë nëna, i tillë biri!”. Një tjetër pankartë ofenduese lexonte: “Véro, kush është babai i tij i vërtetë? Déhu, Fiorèse, Cana apo Heinze?”.
I emëruar kapiten nga trajneri i Brighton, Roberto De Zerbi, Rabiot pati një pritje shumë armiqësore në “Parc des Princes” gjatë rikthimit të tij në Paris: mesfushori i kombëtares franceze u vërshëllye dhe u shënjestrua me kore fyese, ndërsa pankartat me mesazhe ofenduese, veçanërisht ndaj nënës së tij Véronique, ishin të shumta.
Adrien Rabiot ka luajtur për PSG-në nga viti 2013 deri në vitin 2019, përpara se të transferohej te Juventusi. Largimi i tij nga klubi parisien nuk ishte i lehtë, pasi pas refuzimit për të rinovuar kontratën, ai u përjashtua nga skuadra e parë dhe u detyrua të stërvitej me ekipin rezervë për herë të dytë (herën e parë kishte ndodhur në vitin 2014).