Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj listës së kandidatëve të PS për Fier, duke akuzuar Ramën për fshirjen e detajeve rreth Ceno Klosit. Ai tha se Klosi është njeri i dyshuar për miliona euro abuzime dhe është nën hetim nga SPAK për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Bardhi akuzoi Ramën se harroi t’u shpjegonte qytetarëve pse e ka përfshirë Klosin, si dhe se Fieri dhe fierakët do t’i japin përgjigjen më 11 Maj.
Reagimi i Bardhit
Lista e PS në Fier si bunker ndaj SPAK!
Edi Rama paska ardhur për shëtitje sot në Fier, ku krah Belindës paska shpallur objektivat e PS në Fier! Objektivat e Edi Ramës janë fiks si premtimet e tij kur erdhi në pushtet. Njëlloj si shëndetësia falas, njëlloj si legalizimet falas, njëlloj si subvencionet në bujqësi, njëlloj si ulja e taksave apo rritja e pensioneve.
Gjatë vizitës disa orëshe harroi t’u shpjegonte qytetarëve të Fierit pse iu ka vënë në krye njeriun e dyshuar për miliona euro abuzime, njeriun që është zyrtarisht nën hetim nga SPAK për korrupsion e shpërdorim detyre, njeriun që arrogancën e ka të vetmen armë të saj. Harroi t’u shpjegojë pse strehoi në listën e kandidatëve të PS “mallrat e importit të Belindës” Ceno Klosin apo Klevis Jahajn të akuzuar më shumë se një herë për korrupsion e abuzim me pushtetin në SPAK.
Meqënëse harroi t’ua sqarojë, përgjigjen do e marrë më 11 Maj. Fieri dhe fierakët i përbuzin matrapazët, hajdutët dhe kandidatët për burg! Fieri dhe fierakët e përbuzin arrogancën!