Përgatitjet për fushatën kualifikuese të Botërorit 2026 kanë nisur tashmë zyrtarisht. Një pjesë e lojtarëve kanë mbërritur, një pjesë e vogël pritet ende, duke patur parasysh impenjimet në fundjavë me ekipet e tyre. Me Anglinë në Wembley është një ndeshje vuajtje, në të cilën pritja e kundërshtarit e kundërsulmi mund të jetë e imponuar, por në konferencën për shtyp Arbër Hoxha beson fort se anglezët mund të befasohen. “Po, normalisht që besojmë, kjo nuk diskutohet fare. Unë besoj se grupi ka kualitet për të arritur një rezultat pozitiv”.
Situata të komplikuara ka: nga dëmtimet e rënda si ato të Mitaj, Hysaj e Dakut e deri te gjendja e pastabilizuar e Brojës, Ismajlit e Strakoshës. Nga ana tjetër mos thirrja e Seferit hap një mundësi më shumë për anësorin e Dinamo Zagreb. Hoxha megjithatë e di mirë se në atë krah zgjedhjet për teknikun Sylvinho nuk mungojnë. “Si çdo futbollist, ka ulje dhe ngritje, edhe unë jam një prej tyre. Kohët e fundit nuk kam pasur shumë ritëm në ndeshje. Ato minuta që kam pasur, jam munduar t’i shfrytëzoj në maksimum. Shpresoj që sa më shpejt të arrij formën dhe të kem sa më shumë minuta në dispozicion”.
Lexo më tej: Broja, Brruti e zëvendësuesi i Mitajt! Sylvinho tregon zgjedhjet: “Kam një ëndërr”
Deri në 21 mars, në debutimin me Tre luanët e Tuchel duhet ndërtuar një ide e qartë mbi filozofinë e lojës. Kuqezinjtë megjithatë janë gati për të nisur një rrugëtim të ri, drejt një arritje historike, kualifikimin për herë të parë në finalet e një Botërori. “Ndeshja e parë me Anglinë është e vështirë, duke marrë parasysh që Anglia ka lojtarë të klasit botëror. Ne do të shkojmë për të dhënë maksimumin, i dimë cilësitë dhe kualitetet tona. Shpresojmë të marrim një rezultat pozitiv. Unë do të bëj më të mirën, sa minuta të kem në dispozicion” e mbylli Hoxha.