Gjendja e 8 personave të lënduar nga zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçan të Maqedonisë së Veriut, të cilët dje në mbrëmje u dërguan në Spitalin “Pirogov” të Sofjes, është e rëndë. Këtë informacion e bëri me dije sot në një konferencë për media, drejtori i institucionit shëndetësor, Valentin Dimitrov.
“Është shumë herët (për të thënë). Aktualisht po kryhen teste të shumta për të vlerësuar veprimet e mëtejshme të ekipit mjekësor. Pacientët kanë lëndime në trup, gjymtyrë të sipërme dhe fytyrë, si dhe djegie të frymëmarrjes në rrugët e sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes, gjë që e komplikon edhe më shumë gjendjen e tyre.
Kjo është një tragjedi e madhe. Të gjithë kanë mbërritur në një goditje termike shumë të rëndë, në të cilën kanë kaluar 24 orë, kjo është shumë e vështirë për çdo organizëm”, tha drejtori i “Pirogov”.