Merino “zhyt” Chelsea, por Arsenal është -12 nga Liverpool: fiton derbin edhe Fulham

3 Min Read

E diela e javës së 29-të në Premier League nis me suksesin e Arsenal në derbin kundër Chelsea, një sfidë që në Emirates përfundon me rezultatin 1-0 në favor të “Gunners”. Merino i jep fitoren ekipit të teknikut Arteta dhe e çon në -12 pikë nga Liverpool (i angazhuar sot në finalen e Carabao Cup), ndërsa Fulham fiton 2-0 kundër Tottenham në Craven Cottage. Për ta vendosur këtë tjetër përballje brenda Londrës janë golat e Muniz dhe Sessegnon.

Arsenal-Chelsea 1-0

Emirates Stadium është skena e derbit të Londrës Veriperëndimore mes Arsenal dhe Chelsea, dy skuadra që synojnë një vend në Champions League. Pjesa e parë dominohet nga skuadra e teknikut Mikel Arteta, e cila kalon në avantazh në minutën e 20′: Merino i paraprin të gjithëve me një goditje me kokë pas një këndoreje të ekzekutuar nga Rice, duke mposhtur portierin Sanchez me një parabolë perfekte ajrore, duke konfirmuar epërsinë e Arsenal në situatat e goditjeve standarde. Chelsea duket në vështirësi të mëdha, por në minutën e 37′ i afrohet barazimit me pak centimetra: Raya devijoi një goditje të fuqishme të Cucurellas, me topin që kalon pranë shtyllës dhe përfundon jashtë.

Lexo më tej: Real festë në Madrid, Atletico jashtë me penallti: Arsenal e Villa në çerekfinale

Në pjesën e dytë, Sanchez realizon një pritje spektakolare në minutën e 60′, duke ndalur një goditje fluturimthi të Merino, duke mbajtur Chelsea në lojë. Në minutat e fundit, rezultati nuk ndryshon dhe Arsenal fiton 1-0, duke u ngjitur në kuotën e 58 pikëve në renditje. Me ndeshje të barabarta, Liverpool kryeson me 12 pikë përpara. Chelsea i italianit Maresca mbetet në vendin e katërt me 49 pikë.

Fulham-Tottenham 2-0

Edhe në stadiumin e bukur të Craven Cottage zhvillohet një derbi londinez, ku Fulham pret Tottenhamin. Pjesa e parë nuk dhuron shumë emocione, pasi të dy skuadrat shkojnë në pushim pa gola. E vetmja mundësi e rrezikshme vjen nga vendasit rreth minutës së 30-të, kur Castagne teston refleksin e portierit Vicario.

Në fillim të pjesës së dytë, Solanke frikëson Leno me një goditje me kokë që kalon pranë shtyllës, ndërsa Tel krijon rrezik për Spurs 20 minuta para fundit. Fulham rikthehet në sulm me Willian në minutën e 77-të dhe vetëm dy minuta më vonë gjen golin e epërsisë: Rodrigo Muniz shënon pas një asisti inteligjent nga Andreas Pereira.

Rreth dhjetë minuta më vonë, skuadra e teknikut Marco Silva vulos fitoren me golin e dytë të shënuar nga Ryan Sessegnon, një ish-lojtar i Tottenham, i cili nuk feston ndaj ish-skuadrës. Me këtë fitore, Fulham ngjitet në kuotën e 45 pikëve, ndërsa Tottenham mbetet në 34 pikë.

Share This Article
Leave a Comment