Por si importuesit e mallrave ushqimore dhe prodhuesit janë në “luftë” për të ofruar çmime sa më të lira, pasi qasja e konsumatorit është për shpenzime të kujdesshme, madje duke u orientuar drejt produkteve me çmime më të lira.
Në përgjithësi, edhe pse në vlerë, konsumi ka shënuar rënie, rritja e numrit të produkteve të shitura sipas zonjës Koshi sugjeron një konsum të vazhdueshëm, por me një qasje më të kujdesshme nga ana e blerësve.
“Në muajin janar, kategoria ushqimore shënoi rënie në vlerë prej 5.4%, ndërkohë që numri i produkteve të shitura u rrit me 5.2%, duke treguar një zhvendosje të konsumatorëve drejt produkteve me çmim më të ulët ose blerjeve më të fragmentuara. Një tendencë e ngjashme u vu re edhe në sektorin e banakut, me një ulje në vlerë prej 1.3%, por një rritje të vogël të numrit të artikujve të shitur me 0.5%.
Kjo tregon një përpjekje të konsumatorëve për të optimizuar buxhetin, ndoshta duke zgjedhur produkte më ekonomike ose duke përfituar nga ofertat”, pohon ajo.
Zonja Koshi thekson se arsyeja kryesore e lëvizjes së konsumit është ndikimi i inflacioni te fuqia blerëse, që po orienton konsumatorin familjar për shpenzime drejt produkteve më të lira.
Rriten importet e makaronave dhe orizit
Sasia e importit të makaronave dhe orizit për 2024 pati rritje krahasuar me vitin paraardhës. Sipas të dhënave të Doganave, në total për 2024 u importua një sasi prej 22,4 mijë tonë oriz.
Krahasuar me 2023, sasia e importit u rrit me 24%. Viti 2025 nisi me rënie importesh për këtë produkt. Për muajin janar, importet e orizit u ulën me 9% krahasuar me muajin janar 2024.
Zonja Babameto pohon se te rritja e kërkesës kanë ndikuar investimet në rritje të kompanisë për menaxhimin e shpërndarjes së produkteve, por edhe sezoni turistik. Ajo thotë se për këto produkte nuk ka pasur rritje të çmimit të shitjeve.
Ylli Aliaj, nga kompania paketuese e vajit “Bomira”, tha se rënia e popullsisë dhe emigracioni po ndikojnë në ngadalësimin e rritjes së kërkesës. Importuesit sivjet presin gjithashtu rritje të çmimit të vajit të lulediellit në tregjet e huaja.
Vjet, ardhja e turistëve në muajt e verës ndryshoi tërësisht konsumin për vajin e lulediellit. Deri në fillim të muajit qershor 2023, importuesit pohonin se shitjet ishin rreth 40% më të ulëta se vjet, për shkak të emigracionit dhe mbiprodhimit të vajit të ullirit.
Faktor tjetër që ka ndikuar te përmirësimi i kërkesës për këtë produkt është edhe ulja e çmimit, ku prej dy vitesh në treg janë stabilizuar çmimet me shumicë për këtë produkt. Vaji i lulediellit po tregtohet me shumicë me çmim nën 200 lekë për litër (150 deri në 180 lekë për litër).
Rënia e çmimit të vajit të lulediellit nisi në muajin qershor 2022, periudhë në të cilën filloi të importohet vaji nga depozitat e Ukrainës drejt vendeve kufitare, pasi transporti detar ishte i bllokuar nga lufta.
Në muajin korrik 2022, çmimi i vajit u ul me 24% krahasuar me çmimin e shitjes pas luftës.
Pas kësaj periudhe, çmimi u rrit edhe rreth 9% dhe arriti 370 lekë për litër, ndërsa në mesin e muajit prill, çmimi i vajit me pakicë arriti pikun 400 lekë për litër.
Rritje është shënuar edhe për importet e grupit “Sapuni, preparatet parëse, lubrifikues, qirinjtë”, sipas të dhënave të INSTAT që u shtuan 15.3% në 2024 krahasuar me vjet.
Për muajin janar 2025, importet e grupit u rritën 1,3% krahasuar me janar 2024.
Importuesit e preparateve larëse thanë se ka pasur shtim të shitjeve te produktet për paketim familjar, e nxitur nga rritja e numrit të turistëve që qëndrojnë në apartamente me qira ditore.
Rriten importet e drithërave
Për vitin 2024, sipas të dhënave të Doganave, u importuan një sasi prej 204 mijë tonësh grurë. Krahasuar me 2023, sasia e importit të grurit u rrit me 6,4%. Për muajin janar 2025, importet e grurit ranë me 7% krahasuar me muajin janar 2024.
Sasia e misrit të importuar në 2024 ishte rreth 93 mijë tonë. Në raport me 2023, importet u rritën me 36%. Shtim të importit të misrit pati edhe në 2025.
Për muajin janar, sasia e importeve u shtua rreth 61% krahasuar me muajin janar 2024.
Sipas tij, grosistët e importit të grurit shfrytëzuan në maksimum magazinimin e drithërave me qëllim parandalimin e humbjeve nga ndryshimet e mundshme të çmimit pas korrjeve të muajit korrik.
Z.Haxhiymeri tha se rënia më e lartë e konsumit në 2024 ishte në muajt shkurt, mars edhe fundviti. “Shitjet nga muaji tetor deri në fund të vitit nuk kanë qenë të mira.
Nuk ka kërkesë, pasi nëpër fshatra nuk ka njerëz fare, por edhe qytetet janë dobët. Shpresat janë që konsumi të rritet disi me turizmin, pasi mendohet se bilanci i atyre që largohen në afatgjatë ose me pushime me ata që vijnë të jetë në favor të këtyre të fundit”, tha ai.
Në vitin 2024, pas përfundimit të sezonit turistik, shqetësimi për rënien e kërkesës së bukës dhe ëmbëlsirave, u ngrit edhe nga drejtuesit e disa prej furrave kryesore në vend.
Sipas tyre, vjet në muajin tetor, rënia e kërkesës për produktet e brumit dhe ëmbëlsirave ishte 20% krahasuar me vitin paraardhës, përveç shitjeve të produkteve fast food që nuk shënuan pakësim.