Drejtësia po zvarritet, Mediu na kërcënoi në GJKKO, na tha mbylleni gojën

2 Min Read

Madje Durda rrëfen për Report Tv, se nuk kanë asnjë të drejtë në sallë, duke theksuar se si rrezikon që të nxirren jashtë nëse flasin. Gjyqtarja e çështjes së Gërdecit është Irena Gjoka.

Zamira Durda: I kam thënë dhe gjyqtares, të lutem, na kërcënojnë, na bërtasin, mos flni mos reagoni. Si mos të reagojë një nënë? Gazetari Andi Kapxhiu: Kush iu kërcënon? Keni kërcënime kohët e fundit?

Zamira Durda: Po biles, nga avokatët e atij. E ngriti zërin para dy seancash. Mbylleni gojën, na u ngrit vetë i pandehuri. Na u ngrit drejtpërdrejtë, mbylleni gojën. Po i trajtoni viktimat si heronj, i thuhet gjyqtares.

Gazetari Andi Kapxhiu: Ministri i asaj kohe në sallën e gjyqit iu kërcënoi? Ju tha mbylleni gojën, zoti Mediu…

Zamira Durda: Po, po, pikërisht. Mbylleni gojën. Ishte e tmerrshme të duroje, vetëm i pandehuri ka të drejtë, ne s’kemi asnjë të drejtë të flasim, edhe po folëm do dalim jashtë. Po si durohet?

Gazetari Andi Kapxhiu: Jeni e zhgënjyer edhe me drejtësinë e re.

Zamira Durda: 2 vite jemi ende tek provat e prokurorit, jemi në seancë me datë 18, ka 147 faqe për të lexuar. Vetëm orë leximi, fjalime parlamenti, se s’ka asnjë provë, do vetëm të zvarrisë të përfitojë kohë. Është vrastare, është tallëse për ne viktimat. Na kërcënoi, na u hakërrye i pandehuri në sallë. E pastaj do dilkemi ne përjashta po folëm ne, po si. Të gjithë paguhen për atë proces gjyqësor, vetëm unë jam ajo që mbroj interesat e fëmijës sim.

Edison Durda ishte një nga 26 viktimat që shkaktoi masakra e Gërdecit. Ai ishte vetëm 6 vjeç dhe po luante me biçikletë, kur humbi jetën nga shpërthimi i fabrikës së vdekjes. Djali im nuk kishte asnjë faj, thotë Durda, por faji i tij i vetëm ishte se doli të luante me biçikletë dhe e poqën, e dogjën.

Share This Article
Leave a Comment