Java e 29-të e Premier League solli sfida të vështira: Manchester City nuk arriti të fitonte për herë të dytë radhazi, edhe pse ishte në avantazh dy herë me Haaland dhe Marmoush. Citizens u arritën nga Brighton për një barazim 2-2, madje rrezikuan edhe humbjen. City mund të largohet nga zona Champions, ndërsa Nottingham Forest forcon vendin e tretë me një fitore 4-2 ndaj Ipswich. Në rikthimin e Armando Brojës në fushë pas dëmtimit të gjatë, Everton ndal West Ham-in (1-1), ndërsa Wolverhampton triumfon në transfertë.
MANCHESTER CITY-BRIGHTON 2-2
Manchester City nuk arrin të marrë tre pikët dhe, në mënyrë paradoksale, mund të jetë i kënaqur me një barazim 2-2 ndaj Brighton, që ndoshta e meritonte më shumë. Ndeshja nisi vrullshëm për “Pulëbardhat”, të cilëve iu anulua një gol i Mitomës, por në minutën e 9-të ishte City që kaloi në avantazh: Webster shkaktoi penallti ndaj Marmoush, dhe Haaland nuk gaboi nga pika e bardhë. Brighton barazoi me një goditje dënimi nga Estupiñán (22’), por më pas rrezikoi shumë: Savinho pati dy raste të mira, ndërsa Minteh gjithashtu ishte afër golit. Në minutën e 39-të, City kaloi sërish në avantazh me një gjuajtje të bukur nga distanca të Marmoush, por epërsia zgjati vetëm nëntë minuta.
Lexo më tej: Guardiola e Cristina u divorcuan për shkak të City: familja u befasua nga vendimi
Në pjesën e dytë, një autogol i pafat i Khusanov (48’) vulosi përfundimisht barazimin 2-2. Të dyja skuadrat patën mundësi të tjera shënimi: Baleba dhe Minteh ishin shumë pranë golit, ndërsa Nico goditi shtyllën. Në fund, asnjëra nuk arriti të fitonte. Brighton ngjitet në top-7 me 47 pikë, ndërsa Guardiola mbetet me 48 dhe mund të bjerë më poshtë në renditje.
IPSWICH-NOTTINGHAM FOREST 2-4
Nottingham Forest vazhdon ecurinë fantastike, duke dominuar Ipswich-in në transfertë me një fitore 4-2 dhe duke forcuar pozitën e tretë. Vendasit nisën më mirë me një rast të Delap, por më pas ishin miqtë që morën kontrollin. Gibbs-White testoi fillimisht Palmer, dhe nga një goditje këndi që pasoi, Milenkovic shënoi për 1-0 në minutën e 35-të. Aty filloi spektakli i Nottingham-it, që shënoi tre herë në gjashtë minuta: Elanga realizoi një dopietë të shpejtë, duke e çuar rezultatin në 3-0 në pjesën e parë. Kalvin Phillips provoi të rikthente Ipswich-in në lojë, por pa sukses, ndërsa Sels ndali një rast të rrezikshëm të Davis.
Në pjesën e dytë, Gibbs-White dhe Yates ishin pranë golit të katërt për miqtë, por Ipswich reagoi vetëm në minutën e 82-të me një gol të Cajuste. Çdo shpresë për vendasit u shua në minutën e 86-të kur Jota Silva realizoi për 4-1. Hirst shënoi në minutën e 93-të për Ipswich-in, por nuk mjaftoi: ata mbeten me 17 pikë dhe -9 nga shpëtimi. Nottingham Forest arrin në 54 pikë dhe afrohet me zonën Champions.
EVERTON-WEST HAM 1-1
Everton dhe West Ham ndanë pikët në një ndeshje pa shumë raste, por me shumë ekuilibër. “Çekanët” e nisën më mirë, por rastet më të mira në pjesën e parë ishin për Everton-in: Beto dhe O’Brien nuk mundën të kalonin Areola, ndërsa një penallti e dhënë për ish-sulmuesin e Udinese u anulua nga VAR. Në pjesën e dytë, ritmi u rrit dhe Bowen u bë protagonist. Ai fillimisht ishte pranë golit, pastaj asistoi Souçek për avantazhin e West Ham-it në minutën e 67-të. Dhjetë minuta në fushë për sulmuesin e kombëtares Armando Broja. E pas hyrjes së tij, Everton barazoi në minutën e 91′ me një asist të Gueye dhe finalizimin e O’Brien. Rezultati përfundimtar ishte 1-1, duke i çuar të dyja skuadrat në 34 pikë, ku për momentin barazojnë me Manchester United dhe Tottenham.
SOUTHAMPTON-WOLVERHAMPTON 1-2
Një tjetër humbje për Southampton, që ndonëse luajti mirë, pësoi disfatën e 21-të të sezonit dhe të katërtën radhazi. Vendasit sulmuan që në fillim me Sulemana dhe Mateus Fernandes, por u ndalën nga portieri Sà dhe nga gabimet e tyre. Wolves e shfrytëzoi këtë dhe kaloi në avantazh në minutën e 19-të me një krosim të Bellegarde dhe finalizimin e Strand Larsen. Munetsi kishte dy mundësi për të dyfishuar shifrat, ndërsa edhe Southampton ishte pranë barazimit me Harwood-Bellis.
Në pjesën e dytë, trajneri Juric futi Onuachu në lojë, por skuadra e tij u ndëshkua sërish: Bellegarde asistoi përsëri Strand Larsen për 2-0 në minutën e 47-të. Southampton bëri një sulm të fortë në fund dhe më në fund shënoi në minutën e 74-të me Onuachu, i cili reagoi pas një topi në shtyllë nga Dibling. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për pikë, dhe Southampton mbetet i fundit me 9 pikë, shumë pranë rënies nga kategoria. Wolves, ndërkohë, ngjiten në 26 pikë dhe praktikisht sigurojnë mbijetesën, duke qenë 9 pikë mbi Ipswich dhe Leicester.