Partia Demokratike ka ngritur shqetësimin për një sërë shkeljesh administrative të evidentuara gjatë procesit parazgjedhor, duke kërkuar masa konkrete nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, bëri të ditur se deri më tani janë denoncuar në KQZ 27 raste që lidhen me shkelje nga zyrtarë të qeverisë dhe institucioneve publike.
Lidhur me këto raste, tha Vangjeli, KQZ ka marrë vendimet si më poshtë:
- Ka pranuar 16 raste dhe ka nisur hetimin administrativ;
- Ka refuzuar nisjen e hetimeve për 6 raste;
- Ka vendosur pushimin e hetimeve për 2 raste.
PD thekson se për rastet ku ka nisur hetimi administrativ, ende nuk janë marrë masa penalizuese nga KQZ. Për këtë arsye, PD kërkon ndërhyrje të menjëhershme për të siguruar një proces zgjedhor të ndershëm dhe në përputhje me Kodin Zgjedhor, si dhe me vendimin nr. 9/2020 të Komisionit Rregullator.
PD argumenton se shkeljet e evidentuara përbëjnë një pengesë për zhvillimin e një gare të barabartë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe cënojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.