26 emra mes tyre 4 portierë, në listën e teknikut Sylvinho për ndeshjet ndaj Anglisë dhe Andorrës, në kualifikueset e Botërorit 2026. Befasia e madhe është thirrja e qendërsulmuesit Armando Broja, që nuk ka luajtur asnjë minutë me Everton që nga dëmtimi i rëndë. Risia është Etnik Brruti, kapiteni i Kosovës U21, që ka sjellë një tjetër përplasje mes dy Kombëtareve dhe Julian Shehu i Widzew Lodz. Kuqezinjtë janë gati për rrugëtimin e ri në kualifikueset e Kupës së Botës 2026. Shqipëria ndodhet në grupin K së bashku me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.
Katër portierë
Trajneri Silvinjo ka përzgjedhur 26 lojtarë për dy ndeshjet e marsit ndaj Anglisë dhe Andorrës. Ka një ftesë për Thomas Strakoshën, edhe pse gjendja e portierit duhet parë kur të mbërrijë, duke qenë se ka patur probleme muskulore. Elhan Kastrati, Alen Sherri dhe Simon Simoni plotësojnë zgjedhjet e portës, me Etrit Berishën që mbetet sërisht jashtë.
Vetëm një “shqiptar” në listë
Nuk ja del Elseid Hysaj në mbrojtje, por ka ftesë për Ardian Ismajlin, pavarësisht mungesës në ndeshjet e fundit me Empolin, për shkak dëmtimi. Surprizë është thirrja e lojtarit të Dinamos Naser Aliji, i vetmi që luan në kampionatin kombëtar. Të tjerët janë emra të ditur, Ivan Balliu, Marash Kumbulla, Andi Hadroj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti dhe Enea Mihaj.
Dy debutues në mesfushë
Në mesfushë mungon vetëm Keidi Bare, që u dëmtua tre ditë më parë. Sidoqoftë, Sylvinho ka emrat e tij të zakonshëm: Ylber Ramadani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Kristjan Asllani, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha dhe dy debutuesit Etnik Brruti, Juljan Shehu.
Rikthehet Broja
Në repartin ofensiv, befason thirrja e sulmuesit të Everton Armando Broja, ndërkohë që ka rikuperuar Rey Manaj. Plotësojnë repartin Ernest Muçi, Jasir Asani dhe Myrto Uzuni, në thirrjen e parë që kur u transferua në MLS me Austin.
Grumbullimi zyrtar nis të hënën më 17 mars. Kombëtarja do të luajë ndeshjen e parë ndaj Anglisë në “Wembley” më 21 mars, në orën 20:45.
Takimi i dytë është më 24 mars ndaj Andorrës në stadiumin “Arena Kombëtare” në Tiranë, në orën 20:45.