TIRANA- Gazetari Artan Hoxha komentoi zhvillimet e gjyqit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në Apelin e GJKKO. Gjatë një intervistë në emisionin Log në News 24, Hoxha theksoi se rasti i Veliajt është ndër më të rëndësishmit që ka pasur SPAK dhe përmendi se kërkesat e SPAK kryesisht nuk refuzohen nga GJKKO.
Sipas tij, kryetari i Bashkisë, Veliaj mund të ishte mbajtur në “arrest shtëpie”, por gjithsesi, SPAK insistoi që ai të qëndronte në burg për shkak të argumenteve të reja që u paraqitën në Gjykatën e Apelit. Hoxha theksoi se gjatë procesit u bë e ditur se Veliaj ishte mbajtur nën përgjim, dhe se për SPAK kishte shqetësime që Veliaj mund të helmonte provat, duke sugjeruar që kjo mund të ndodhte përmes kontakteve me njerëz jashtë qelisë.
“Rasti Veliaj është rasti më i rëndësishëm që SPAK ka pasur në duar. Kërkesat e SPAK nuk refuzohen nga GJKKO. Kryetari i Bashkisë mund të hetohej dhe në “arrest shtëpie”. Mesa duket, në Gjykatën e Apelit, u sollën disa argumente të reja të SPAK dhe u këmbëngul që të qëndrojë në burg. Aty u mësua që kryetari i Bashkisë ishte mbajtur në përgjim. Unë mendoj se Gjykata e Apelit edhe po ta mbante në arrest shtëpie, do ishte e njëjta gjë. Është problemi edhe tek komunikimi që ai ka me njerëz jashtë qelisë. SPAK mendon se Veliaj është në gjendje edhe në burg, të mund të helmojë provat”, tha Hoxha.