Emri i deputetit Dashnor Sula nuk ka qëndruar më shumë se 48 orë në listën e kandidatëve për deputet në listën e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Qarkun e Elbasanit për zgjedhjet e 11 Majit.
Ditën e sotme ai e ka tërhequr emrin nga lista, teksa kjo është konfirmuar për mediat nga Adriatik Lapaj dhe Pano Soko, si dhe Endri Shabani.
“Ka qenë proces. Janë të shumtë ata që kanë shprehur dëshirën për të qenë në listat tona e me të cilët kemi diskutuar si qytetar, por që nuk janë finalizuar për arsye të ndryshme që nisin nga formula e Kodit Zgjedhor e deri te vendimet e strukturave tona që janë të paevitueshme në finale”, ka deklaruar për mediat Adriatik Lapaj.
Ndërsa, Pano Soko ka thënë se me Dashnor Sulën nuk është gjetur dakordësia për çështje teknike, ndonëse ishin diskutuar më herët.
Sipas Kodit Zgjedhor, partitë politike apo koalicionet zgjedhore, edhe pse kanë depozituar listat në KQZ në datën 12 mars, kanë të drejtë të ndërrojnë emra edhe për 4 ditët në vazhdim.
Burime për mediat bëjnë me dije se Dashnor Sula ka pasur emrin në listën e hapur, por nuk ka marrë garanci që nëse merr votat e mjaftueshme për të dalë deputet, pesë kandidatët e listës së mbyllur do ta linin mandatin e deputetit.
Nga krerët e koalicionit, është pretenduar se emrat në listën e mbyllur janë fiktivë, por kjo mbetet për t’u konfirmuar pas 11 Majit, nëse arrijnë të marrin mandate deputetësh.
Deri më tani, nuk ka patur asnjë reagim nga Dashnor Sula për tërheqjen nga koalicioni, teksa më 13 Mars ai njoftonte përmes një postimi në rrjetet sociale, se në zgjedhjet e 11 Majit do të garonte në siglën e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Kujtojmë se deputeti Sula, pasi pasi u la jashtë listës së mbyllur në Qarkun e Elbasanit nga Partia Demokratike, ai la partinë për të futur në listat e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, por duket se dhe aty nuk ka qëndruar më shumë se 2 ditë.