Mesnatës e 12 Marsit, në listat e kandidatëve që u depozituan në KQZ-së, tek ato të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” figuronte dhe emri i deputetit të PD-së Dashnor Sula, si kandidat në listën e hapur në Elbasan.
Ky fakt u konfirmua një ditë më pas nga ana e Dashor Sulës, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, konfirmoi se në zgjedhjet e ardhshme do të garonte në siglën e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”. Gjithashtu, siç shihet edhe në foton më poshtë, Adriatik Lapaj në komentet në rrjetet sociale, e konfirmonte duke e mbrojtur kandidimin e Sulës në koalicion e tyre.
Por, Endri Shabani gjatë një intervistë për A2 CNN thotë se emri i Dash Sulës nuk është pjesë e listave të koalicionit të tyre “Nisma Shqipëria Bëhet”. Ai thotë se emri i Sulës ka qenë në listat vetëm pas një diskutimi paraprak, por jo në ato përfundimtare, por ndërkohë duket se Shabani ka harruar faktin që e kanë pranuar të gjitha palët.
“Ne duam të konsolidojmë drejtësinë. Çdo njeri që mbështet SPAK është i mirëpritur. Çdo njeri që mbështet garën në shoqërinë shqiptare, është i mirëpritur të bashkohet. Çdo njeri që nuk ka qenë pjesë e çetës që ka vjedhur Shqipërinë, është i mirëpritur të bashkohet. Dashnor Sula nuk do jetë pjesë e listave tona. Emrin nuk e ka, ka pasur një diskutim paraprak dhe për këtë arsye ka figuruar emri i tij në lista. Personalisht kam vlerësuar punën e zotit Dash Sula, që është nga të vetmit që ka folur për fermerët, që ka folur pro SPAK. Kur ka treguar gatishmëri për të bashkëpunuar, e ka pasur derën e hapur”, tha Endri Shabani.
Siç duket njëra prej palëve tashmë është bërë pishman dhe emri i tij është hequr nga listat, por fakt është se emri i Dashnor Sulës u dorëzua në KQZ mesnatën e 12 Marsit.
Ndoshta, koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” është bërë pishman për futjen e emrit të Sulës në Elbasan, pasi pavarësisht se do t’u sillte vota në këtë qark, do i pakësonte në të gjithë Shqipërinë për rrëzimin e kauzës për përfaqësimin e emrave të rinj në politikë.