Ka “shumë gjasa” që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të marrë fund, u shpreh sot presidenti amerikan, Donald Trump, pas bisedimeve “frytdhënëse” mes zyrtarëve amerikanë dhe presidentit rus, Vladimir Putin.
“Ne zhvilluam bisedime shumë të mira dhe frytdhënëse dje me presidentin e Rusisë, Vladimir Puti, dhe ka shumë mundësi që kjo luftë e tmerrshme dhe e përgjakshme të marrë fund përfundimisht”, tha Trump në një postim në Truth Social, duke shtuar se ai i ka kërkuar Putinit ta kursejë jetën e trupave ukrainase që janë “plotësisht të rrethuara“.
I dërguari amerikan, Steve Witkoff, mbajti takim të gjatë me Putinin në Moskë të enjten në mbrëmje. Në postimin e tij, Trump nuk tregoi nëse ka biseduar vetë me Putinin.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë të premten se Putin ia ka dërguar Trumpit një mesazh për propozimin e tij për armëpushim në Ukrainë, pas takimit në Moskë me të dërguarin e posaçëm Witkoff.
“Kur zoti Witkoff t’ia dërgojë të gjitha informacionet presidentit Trump, ne do të përcaktojmë kohën e bisedës. Ka arsye për të qenë optimistë të kujdesshëm”, tha Peskov.
Putin tha të enjten se Rusia pajtohet me propozimin e Shteteve të Bashkuara për armëpushim në Ukrainë, por shtoi se ka hollësi të cilat duhet të zgjidhen fillimisht, si për shembull furnizimi i Kievit me armë perëndimore.