Pas ndërprerjes së punimeve në janar për shkak të protestave të banorëve, kompania që po ndërton ujësjellësin e Himarës në Shushicë i ka rifilluar sërish punimet të mërkurën, më 12 mars, pavarësisht se ka një padi në gjykatë dhe banorët e 30 fshatrave të lumit të Vlorës e kundërshtojnë projektin.
“Ishin ndërprerë punimet për një kohë dhe u kishte skaduar leja për punime nga bashkia e Himarës. Para gati një jave kanë marrë prapë leje, pavarësisht se ne e kemi kundërshtuar me forcë këtë histori”, tha Astrit Balilaj, banor i zonës.
“Ishte spontane. Gjetëm punonjësit që punonin dhe u thamë që duam të bisedojmë dhe jemi në pritje të përgjigjeve dhe sqarimit nga shteti dhe u kërkuam që të ndalonin punimet që të mos bëjmë konflikt. U thamë hiqni mjetet derisa ne ta zgjidhim këtë problem”, thotë Balilaj. Ai tregon se punonjësit kontaktuan me eprorët dhe me policinë dhe më pas u larguan dhe morën edhe mjetet.
Por sipas tij, lëvizja ishte vetëm për të shmangur përballjen me banorët. Ai thotë se kompania u kthye sërish të punonte të enjten më 13 mars dhe se këtë herë ishte e shoqëruar me polici. “Sot vumë re që sot vazhdonin punë dhe kishte edhe prani të forcave të policisë”, tha ai. Ai tha se nuk ka pasur protestë të re, por shtoi se banorët e zonës prej muajsh presin sqarime dhe informacion, por autoritet as kanë marrë pjesë në takimet e organizuara prej tyre as i kanë ftuar t’i dëgjojnë.
Balilaj thotë se ata kundërshtojnë projektin pasi tubacionet që po vendosen dëshmojnë se sasia e ujit që do merret është shumë më e madhe nga premtimet me fjalë. Sipas tij me gojë banorëve u është premtuar që do merret vetëm 1/3 e ujit dhe se në pikën e kontrollit të punësohet një banorë i zonës, por në praktikë tubacioni nuk ndryshon. Sipas tij teoria e punësimit të një banori për të kontrolluar rrjedhën e ujit që merret është tallje.
“Duket sikur po tallen me ne. Minimalisht shteti duhet të vijë dhe duhet të na thërrasë neve dhe të na sqarojnë e të bien dakord për një zgjidhje ndryshe ne jemi të dëtyruar të vazhdojmë protestat”, tha ai.
Aktivistja e mjedisit nga Eco Albania, Besjana Guri i tha BIRN këmbëngulja për të vijuar punimet ndërsa nuk janë zgjidhur kundërshtitë është e papranueshme.
“Përpjekjet e vazhdueshme për të shtyrë përpara këtë projekt, pavarësisht kundërshtimit të qartë nga komuniteti dhe ekspertët, janë të papranueshme. Shushica është pjesë e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa dhe marrja e ujit nga burimi i kryesor i saj cënojnë integritetin e tij dhe biodiversitetin e zonës. Ne qëndrojmë të bashkuar me banorët këtë betejë”, tha Guri.
Shushica është një nga dy lumenjtë tributarë të lumit Vjosa, që në mars të vitit 2023 u shpall park kombëtar. Projekti i ujësjellësit të Himarës parashikon devijimin e ujit nga burimi i lumit të Shushicës për ta kanalizuar atë nëpërmjet një tubacioni 17 km drejt bregdetit të Himarës në mënyrë që të përmbushë kërkesat e turizmit masiv.