Pas një seance e cila zgjati tre ditë, Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Lidhur me këtë vendim dhe çfarë ka ndodhur në seancën ndaj Veliajt, ka dhënë më tepër detaje për emisionin “Opinion”, gazetarja e TV Klan, Bleona Metushi.
Gazetarja shprehet se në provat e reja të dorëzuara nga SPAK janë një numër i konsiderueshëm bisedash që kryebashkiaku ka bërë nga kabina e paraburgimit në Durrës ku ndodhet tani.
Bleona Metushi: Pas ankimit të bërë nga ana e kryebashkiakut Erion Veliaj për masën e sigurimit “Arrest me burg” Prokuroria e Posaçme iu përgjigj me një kundër ankim në gjykatën e Apelit aty ku ditën e martë në përfundim të fjalës së tyre, pra ato folën të fundit duke qenë se në lëvizje gjykatën e Apelit e kishte vendosur pala Erion Veliaj dhe të hetuarit e tjerë, dy prokurorë e posaçëm e dorëzuan gjyqtarit të posaçëm të Apelit, Engert Pëllumbi disa transkipte përgjimesh të cilat ata i kishin përftuar që nga momenti që Erion Veliaj ishte vendosur në paraburgimin e Durrësit.
Blendi Fevziu: Pra ata e kanë përgjuar Erion Veliajn në paraburgimin e Durrësit, por ishte përgjim me apo pa lejen e Gjykatës?
Bleona Metushi: Ishte një përgjim që është kërkuar një vendim gjyqësor më herët nga ana e Prokurorisë, i miratuar dhe më pas nuk konfirmohet ende se për sa ditë ka zgjatur ky përgjim megjithatë është një numër i konsiderueshëm bisedash. Janë biseda telefonike që kryebashkiaku Erion Veliaj i ka pasur me vëllain e tij, por edhe me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, nga kabina e burgut.
Deri më tani burimet kanë konfirmuar se këto biseda dhe për këtë arsye janë dorëzuar nga ana e Prokurorisë së Posaçme në Gjykatën e Apelit për të treguar se tentativat e më hershme të konfirmuara edhe me një mesazh telefonik që kryebashkiaku Erion Veliaj i kishte dërguar gjatë kontrolleve në muajin Dhjetor një hetuesi të BKH, në vazhdën e kësaj dy prokurorët pretenduan përballë gjyqtarit Engert Pëllumbi që masa e sigurisë nuk duhet të ndryshohet, pasi kjo sjellje që është konstatuar gjatë hetimeve vijon të jetë e njejtë nga ana e kryebashkiakut.
Ndërkohë gazetarja Metushi jep detaje edhe lidhur me atë se çfarë është konstatuar në bisedat e përgjuara të kryebashkiakut Erion Veliaj. Gazetarja thekson se Prokuroria nuk e konsideron krim bisedat e Veliajt, por për të tregaur dëshirën e kryebashkiakut për të paraqitur ndryshe rrethanat të cilat prokuroria është duke i hetuar.
“Janë konstatuar biseda të cilat krybashkiaku Erion Veliaj orientonte apo bisedonte me njerëzit e tij në lidhje me intervistat në televizionet të cilat do të kryheshin, por edhe për strategjinë e tyre publike për tu mbojtur. Nuk konsiderohet krim nga ana e prokurorisë. Unë e sqarova që prokuroria i dorëzoi këto për të treguar atë që ajo pretendon, pra personalitetin dhe dëshirën e kryebashkiakut për të paraqitur ndryshe rrethanat të cilat prokuroria është duke i hetuar, pra nuk lidhet me faktin e vijimit të një krimi, por më shumë për të treguar që masa e sigurimit duhet të vijojë në të njëjtën “arrest me burg””, shprehet gazetarja Metushi.