Prekja e dyfishtë e Julián Álvarez gjatë goditjes së penalltisë, që i kushtoi eliminimin Atletico Madridit kundër Realit në 1/8-at e Champions League, do të mbetet një nga makthet më të mëdha për tifozët e “Colchoneros”. Kjo ngjarje do të kujtohet njësoj si goli i Sergio Ramos dhe penalltia e humbur nga Griezmann në dy finalet e humbura të ekipit të Simeones ndaj “Los Blancos”.
Një episod vërtet i pabesueshëm, i cili ndryshoi fatin e eliminatores dhe që ka shkaktuar shumë polemika në Spanjë që nga përfundimi i ndeshjes në “Metropolitano”, e drejtuar nga arbitri Marciniak.
Videoja që tregon prekjen e dyfishtë absurde të Julián Álvarez
Julián Álvarez shënoi penalltinë dhe barazoi rezultatin (2-2), por sulmuesi argjentinas rrëshqiti në momentin e goditjes dhe e preku dy herë topin, duke bërë që tentativa e tij nga 11 metrat të ishte e pavlefshme. Arbitri Marciniak u ndal nga VAR-i, i cili para gjuajtjes së Valverdes, e rishikoi rastin: Kwiatkowski pa se ish-lojtari i Manchester City-t dhe River Plate, pasi e goditi topin me të djathtën, bëri që ai të përplasej në këmbën mbështetëse përpara se të përfundonte në rrjetë. Sipas rregullores, një ekzekutim i tillë nuk mund të konsiderohet i vlefshëm.
@si_wh70Julian Alvarez penalty ⚽️
A duhej të përsëritej penalltia?
Rregullorja nuk e parashikon një gjë të tillë, prandaj penalltia konsiderohet e pavlefshme dhe nuk mund të ribëhet. Në këto raste, nuk lejohet përsëritja e goditjes, ndryshe nga situatat kur portieri largohet plotësisht nga vija e portës ose kur zona e penalltisë pushtohet para goditjes.
Rregulli 14 mbi penalltitë e shpjegon qartë rastin e “prekjes së dyfishtë”, duke theksuar se: “Lojtari që ekzekuton goditjen nuk mund ta prekë topin përsëri, përpara se ai të jetë prekur nga një lojtar tjetër”. Sigurisht, një gjë e tillë është e pamundur gjatë një gjuajtjeje penalltie pas 120 minutave lojë.
Courtois e Mbappé, të parët që kërkuan rishikimin e penalltisë
Courtois dhe Mbappé ishin lojtarët e Real Madridit që protestuan më fort për të bindur arbitrat të rishikonin dhe të anulonin penalltinë e Julián Álvarez. Ishte thuajse e pamundur të dallohej qartë në transmetimin televiziv prekja e dyfishtë nga lojtari argjentinas, por dyshja e “Los Blancos” e kuptoi menjëherë momentin kur Álvarez e preku topin dy herë.
“Kisha ndjesinë që e kishte prekur dy herë dhe ia thashë menjëherë arbitrit”, shpjegoi portieri belg pas ndeshjes. Ndërkohë, Mbappé vrapoi të protestonte te gjyqtari i katërt, çka çoi më pas në ndërhyrjen e VAR-it dhe anulimin e golit.