Protesta masive në Serbi kanë bërë që presidentit Aleksandër Vuçiç t’i dalë situata nga kontrolli. E teksa i ka punët keq në vendin e tij, siç bën zakonisht, udhëheqësi serb nuk mund të rrijë pa e përfshirë Kosovën.
Në një deklaratë në Smederevë, ai tha se “revolucioni me ngjyra në Serbi u organizua me miliarda euro që Serbia të mos mundej ta mbronte Kosovën apo të ndihmonte Republikën Srpska”.
Organizatat Lëvizja Kombëtare e Serbëve nga Kosova (Otadžbina), Forumi Kombëtar Serb dhe Këshilli Kombëtar Serb kanë bërë të ditur përmes një deklarate të përbashkët se “Lista Serbe” është duke u përgatitur për dërgimin e serbëve nga Kosova në Beograd për të “mbrojtur” Vuçiçin. Këto organizata pohuan se kanë informata bindëse se rreth 600 serbë nga Kosova po planifikojnë të ngrejnë tenda para Presidencës në Beograd dhe të pengojnë protestën e paralajmëruar për 15 mars. Një lëvizje e tillë, sipas ekspertëve, tregon një mesazh kërcënues nga pushteti në Serbi që lidhet me bartjen e krizës në Kosovë.
Ekspertët u bëjnë thirrje udhëheqësve në vend të tregojnë vigjilencë dhe të mos bien në kurthin serb.
Që nga fillimi i protestave në Beograd, serbë nga Kosova, të organizuar nga “Lista Serbe”, kanë marrë pjesë rregullisht në tubime në mbështetje të Vuçiçit dhe të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet.