Donald Trump ka reaguar pas përfundimit të bisedimeve SHBA Ukrainë në Arabinë Saudite, bisedime të cilat rezultuan të suksesshme siç deklaruan të dy palët.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka dhënë dakordësinë e tij për këtë armëpushim të propozuar nga Uashingtoni pas takimit të mbajtur për mbi 9 orë në Arabinë Saudite, mes një delegacioni ukrainas dhe atij amerikan.
Si rrjedhojë, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur të heqin menjëherë pezullimin e ndihmës ushtarake dhe të ndarjes së informacionit të inteligjencës për Ukrainën. Ky vendim u bë i ditur pas bisedimeve mes delegacioneve të Uashingtonit dhe Kievit, të zhvilluara në Xheda, Arabinë Saudite.
Gjatë këtyre negociatave, palët ranë dakord edhe për përshpejtimin e marrëveshjes mbi shfrytëzimin e burimeve minerare të Ukrainës nga Shtetet e Bashkuara. Kjo marrëveshje do të finalizohet “sa më shpejt të jetë e mundur”, sipas njoftimit zyrtar.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë ka përshkruar bisedimet e mbajtura në Xheda si “pozitive” dhe “produktive”. Zëdhënësja e saj, Karoline Leavitt, deklaroi se samiti, i cili zgjati më shumë se shtatë orë, ka sjellë rezultate konkrete dhe se një raport i plotë mbi takimin do të publikohet së shpejti.