Laçi dhe Egnatia u ndanë në paqe në duelin e javës së 29-të të Kategorisë Superiore, me sfidën që përfundoi në barazim 1-1 në Kurbin. Vendosën sfidën Mjaki e Jahaja. Një ndeshje e luftuar, ku të dyja skuadrat patën momentet e tyre, por nuk arritën të siguronin më shumë se një pikë secila.
Laçi kalon në avantazh me mbrojtësin Mjaki
Vendasit nisën ndeshjen me synimin për të marrë tri pikët përballë kryesuesve të kampionatit. Në minutën e 11′ pati pretendime për një penallti për Laçin, pas një ndërhyrjeje të Uotlait ndaj Tresës, por gjyqtari Xhaja e konsideroi të rregullt kontaktin.
Goli i parë i sfidës erdhi në minutën e 34′. Pas një aksioni të bukur, Tresa asistoi për Mjakin, i cili finalizoi me saktësi, duke kaluar Laçin në avantazh. Me këtë rezultat përfundoi pjesa e parë, me ekipin kurbinas që ruajti epërsinë deri në pushim. “Ne mundohemi për maksimumin, që të arrijmë rezultatin. Nuk jam i kënaqur nga barazimi dhe pse duhet ta pranoj. Luajtëm ndaj një kundërshtari të fortë. Të jemi pak më agresiv para portës. Patëm 4-5 raste goli, duhet t’i shfrytëzojmë”, tha tekniku i bardhezinjve Francesco Moriero.
Egnatia rikuperon dhe siguron një pikë
Egnatia e nisi pjesën e dytë me një qasje më sulmuese, por rrezikoi të pësonte edhe të dytin. Laçi kishte një mundësi të artë për të dyfishuar shifrat në minutën e 49′ me Tresën, por tentativa e tij përfundoi jashtë. Sidoqoftë, loja e rrogozhinasve nuk vonoi të shpërblente Tetovën. Në minutën e 55′, Jahaja përfitoi nga një asist i saktë i Zejnullait dhe vendosi baraspeshën në rezultat.
Lexo më tej: Egnatia nuk ka rivalë: Lushkja e Ujka likuidojnë Dinamon, VAR e Teqja dënojnë Dajën
Laçi nuk hoqi dorë nga sulmet, por Mjaki në minutën e 67′ nuk arriti të godiste si duhet, ndërsa në minutën e 87′, një goditje e Bullarit nuk gjeti kuadratin. Pavarësisht përpjekjeve në minutat e mbetura, asnjëra nga skuadrat nuk mundi të shënonte golin e fitores, duke ndarë nga një pikë secila. “Mungesat i kemi pasur javë pas jave, më shqetëson se kam pasur mungesa të ndryshme. Prish planet, qëndron lodhja, nuk dua të hy në gjynah për agjërim”, tha pas ndeshjes tekniku i Egnatias Edlir Tetova.
Gjendja në tabelën e klasifikimit
Pas këtij barazimi, Egnatia mbetet në vendin e parë me 53 pikë, ndërsa Laçi arrin në kuotën e 32 pikëve dhe mban vendin e gjashtë në renditje.
Një rezultat që e mban Egnatian në krye, por gjithashtu i lë hapësirë rivalëve për të rrezikuar pozitat e saj në garën për titull. Ndërkohë, Laçi vazhdon luftën për të siguruar një vend sa më të mirë në renditje në javët e mbetura të kampionatit.