Situata e sigurisë e tensionuar
Që nga Dejtoni, Bosnja dhe Hercegovina është ndarë në dy entitete, që gëzojnë autonomi të gjerë, por qeverisin së bashku në nivel federal: Federata, në të cilën jetojnë kryesisht boshnjakët myslimanë dhe kroatët e Bosnjës, dhe Republika Srpska, me një popullsi me shumicë etnike serbe. Kjo e fundit, nën presidentin e saj Milorad Dodik, i cili prej vitesh ndjek një politikë militante nacionaliste, përpiqet të shkëputet nga shteti i Bosnjës, veprim ky që kritikohet ashpër ndërkombëtarisht.
Dodik është nën sanksionet e SHBA. Ai u dënua në shkurt nga një gjykatë boshnjake në instancën e parë me burg dhe me gjashtë vjet ndalim të mbajtjes së posteve politike. Por ai nuk e njeh vendimin dhe mbështetet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri hungarez Viktor Orban.
Tensione në Kosovë
Kur qeveria aktuale e kryeministrit Albin Kurti filloi t’i jepte fund kësaj praktike, pati në mënyrë të përsëritur revolta dhe bllokada në zonën kufitare, të cilat u mbështetën nga nacionalistët radikalë nga Serbia dhe shteti serb. Në vitin 2022 thuajse të gjithë deputetët serbë të Kosovës dhe nëpunësit civilë në polici dhe gjyqësor dhanë dorëheqje dhe zgjedhjet lokale në provincat veriore u bojkotuan dy herë radhazi. Prandaj në vitin 2023 BE vendosi masa politike dhe ekonomike kundër qeverisë Kurti.
Frika për garancitë amerikane të sigurisë
Përveç këtyre tensioneve Brukseli i frikësohet rrezikut të tërheqjes të SHBA nga Evropa, duke përfshirë kontigjentin e saj prej rreth 600 trupash në KFOR. Edhe pse shtetet evropiane që nga luftërat e Jugosllavisë luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në stabilitetin rajonal, ato kanë qenë gjithmonë të varura nga mbështetja e Shteteve të Bashkuara. Edhe pse vetë Rutte thotë se nuk sheh arsye për t’u shqetësuar për një tërheqje të shpejtë të trupave, ky skenar nuk mund të përjashtohet, duke pasur parasysh retorikën gjithnjë e më të përshkallëzuar të administratës së re amerikane nën presidentin Donald Trump. Përveç kësaj nacionalistët vendas si Dodik ndjehen të inkurajuar nga stili i udhëheqjes së Trump dhe shpresojnë për mbështetje.
Kështu administrata e parë e Trump mbështeti në vitin 2018 planet për një shkëmbim toke mes Kosovës dhe Serbisë. Plani ishte shkëmbimi i zonave të banuara me shumicë serbe në Kosovë me zonat e banuara kryesisht nga shqiptarët në Serbi.
/DW