Nga Uashingtoni për The Guardian, Léonie Chao-Fong. Pergatiti T. Çela, Lapsi.al
Që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë, Donald Trump ka përmbysur qasjen e SHBA-së ndaj pushtimit të Ukrainës dhe e ka trajtuar Rusinë jo më si kundërshtar, por si aleat.
Duke lënë pas dekada të tëra të bashkëpunimit me Evropën kundër agresionit rus, presidenti amerikan pezulloi ndihmën ushtarake dhe atë të inteligjencës për Kievin djke deklaruar të premten e shkuar se e gjykon “më të lehtë” të punojë me Rusinë sesa me Ukrainën.
Më poshtë është një kronologji e përgatitur nga e përditshmja The Guardian për hapat e administratës Trump drejt një aleance të re të dukshme me Rusinë, që Lapsi.al po e sjell në shqip.
12 Shkurt: Telefonata Trump-Putin për të nisur negociatat për përfundimin e luftës
Qendrat politike në Moskë reaguan me entuziazëm pasi Trump zhvilloi një telefonatë direkte me Putinin, gjatë së cilës të dy liderët ranë dakord të fillojnë negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Kjo bisedë 90-minutëshe shënoi arritjen më të madhe diplomatike të viteve të fundit për Putinin dhe i dha një goditje përpjekjeve trevjeçare të Perëndimit për ta izoluar atë.
Trump foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy vetëm pas telefonatës me Putinin, duke i imponuar në thelb atij kushtet e negocimit.
Zyrtarët rusë thanë se janë duke u bërë përgatitjet për një takim sy më sy mes Trump dhe Putin. Putin e ka ftuar Trumpin të vizitojë Moskën, dhe nëse kjo ndodh, do të ishte vizita e parë e një presidenti amerikan në Rusi që nga viti 2009.
12 Shkurt – Përjashtimi i anëtarësimit të Ukrainës në NATO
Në të njëjtën ditë me telefonatën Trump-Putin, Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, deklaroi se Ukraina nuk do të bëhet pjesë e NATO-s.
Duke folur në një samit në Bruksel, Hegseth tha se ishte “jo realiste” që Ukraina të priste të rikthehej në kufijtë e saj të para vitit 2014 dhe theksoi se çdo marrëveshje paqeje duhet të sigurohet nga “trupa evropiane dhe jo-evropiane të afta”, duke përjashtuar ushtarët nga SHBA.
14 Shkurt – Ignorimi i luftës në Ukrainë dhe sulmi ndaj aleatëve evropianë në fjalimin e Mynihut
Liderët evropianë u tronditën kur zv/presidenti i SHBA-së, JD Vance, sulmoi aleatët e Uashingtonit dhe vuri në dyshim nëse SHBA dhe Evropa kishin ende një axhendë të përbashkët.
Në vend që të fliste për luftën në Ukrainë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ai argumentoi se kërcënimi i vërtetë për Evropën nuk vinte nga Rusia apo Kina, por nga braktisja e vlerave themelore të fjalës së lirë.
18 Shkurt – Takime për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë
Zyrtarë të lartë të SHBA dhe Rusisë u takuan në Arabinë Saudite për të nisur bisedimet më të zgjeruara diplomatike që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia.
Në bisedimet e Riadit, të cilat përfshinin Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe Ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, të dyja palët ranë dakord të punojnë për përmirësimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike SHBA-Rusi.
Asnjë zyrtar ukrainas apo evropian nuk ishte i pranishëm në takim.
19 Shkurt – Fajësimi i Kievit për fillimin e luftës
Trump deklaroi se Ukraina ishte fajtore për pushtimin rus, duke u shprehur i “zhgënjyer” që Zelenskyy u ankua për përjashtimin nga bisedimet SHBA-Rusi.
Ai gjithashtu i kërkoi Zelenskyy-t të organizonte zgjedhje – një kërkesë kyçe e Moskës. Kushtetuta e Ukrainës parashikon pezullimin e zgjedhjeve gjatë ligjit ushtarak.
24 Shkurt – SHBA voton përkrah me Rusinë në OKB
Në një kthesë të madhe, SHBA votoi kundër një rezolute të hartuar nga Evropa që dënonte agresionin rus dhe mbështeste integritetin territorial të Ukrainës.
SHBA u rreshtua me Rusinë, Bjellorusinë dhe Korenë e Veriut, duke krijuar precedentin e votimit amerikan kundër një rezolute pro-Ukrainës që nga koha e pushtimit të saj.
28 Shkurt – Poshtërimi i Zelenskyy-t në Zyrën Ovale
Në një takim në Shtëpinë e Bardhë, Trump dhe Vance poshtëruan hapur Zelenskyy-n, duke e sulmuar atë para kamerave botërore.
Zelenskyy kishte udhëtuar në Uashington për të diskutuar një marrëveshje minerare me SHBA, e cila do të ndihmonte në arritjen e një armëpushimit me Rusinë, por takimi degjeneroi në kaos dhe konferenca për shtyp u anulua.
Zyrtarët rusë e festuan skenën e përplasjes Trump-Zelenskyy.
1 Mars – SHBA tërhiqet nga lufta kundër sulmeve kibernetike ruse
Administrata Trump ndryshoi qëndrim për kërcënimin kibernetik rus, duke sinjalizuar publikisht dhe privatisht se nuk e konsideron më Rusinë si një rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Ekspertët e Agjencisë së Sigurisë Kibernetike dhe Infrastrukturës (CISA) u urdhëruan të ndalonin ndjekjen e kërcënimeve ruse, ndonëse më parë ky ishte një prioritet kryesor.
3 dhe 5 Mars – Pezullimi i ndihmës ushtarake dhe asaj të inteligjencës për Ukrainën
Pas përplasjes me Zelenskyy-n, administrata Trump pezulloi dërgesat e ndihmës ushtarake dhe ndaloi ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Mike ëaltz, konfirmoi se SHBA ishte “duke bërë një hap prapa” dhe rishikonte të gjitha aspektet e marrëdhënieve me Ukrainën.
7 Mars – Trump: “Është më e lehtë të punosh me Rusinë sesa me Ukrainën”
Pas një sulmi të madh me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, Trump deklaroi se e kishte më të lehtë të punonte me Rusinë dhe se Putin “dëshiron t’i japë fund luftës”.
“I besoj,” tha Trump, kur u pyet nëse besonte se Putin donte paqe. “Është më e vështirë të merresh me Ukrainën. Ata nuk i kanë letrat në dorë.”
Trump shtoi se “gjithmonë kishte pasur marrëdhënie të mira” me Putinin.
I pyetur nëse lideri rus po përfitonte nga pezullimi i shkëmbimeve të inteligjencës amerikane dhe ndihmës ushtarake për Ukrainën, Trump u përgjigj: “Mendoj se ai po bën atë që do të bënte kushdo tjetër.”