Partia Demokratike ka ngritur sërish shqetësimin për zvarritjen e hetimeve mbi trafikun ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme, duke e cilësuar këtë proces si të dyshimtë dhe të ndikuar politikisht.
“Shtatë muaj pas sekuestrimit të tyre, Prokuroria ende nuk kishte identifikuar një laborator për analizat, duke vonuar hetimet në mënyrë të pajustifikueshme,” tha Muçollari. Ai përmendi edhe një rast të fundit në Ankona, ku një tjetër sasi mbetjesh toksike e nisur nga Durrësi u kap nga autoritetet italiane.
Sipas tij, vonesat e organit të akuzës nuk janë rastësi, por një përpjekje për të mbrojtur anëtarë të qeverisë, të cilët, siç pretendon PD, kanë përgjegjësi direkte në këtë trafik. Ai përmendi me emër Ministren Mirela Kumbaro dhe Ministrin Pirro Vengu, duke i cilësuar si përgjegjës për mosveprimin ndaj këtij fenomeni.
Në përfundim, ai theksoi se Partia Demokratike është e angazhuar për të ndaluar trafikimin e lëndëve të rrezikshme dhe siguroi se një ndryshim në këtë drejtim do të vijë pas zgjedhjeve të 11 majit.