Pak para zgjedhjeve të fundit, Scott Bessent, tani sekretari i Thesarit i Donald Trump-it, i siguroi Financial Times se Trump nuk kishte asnjë interes për të reduktuar tregtinë ndërkombëtare dhe se kërcënimet e tij për të vendosur tarifa të përgjithshme prej 20 për qind mbi mallrat e huaja ishin thjesht një pozicion negociues “maksimalist” që do të zbuteshin gjatë bisedimeve tregtare. “Mendimi im i përgjithshëm është se, në fund të ditës, ai është një tregtar i lirë,” tha Bessent.
Disa javë më vonë, Kaitlan Collins nga CNN e pyeti Howard Lutnick, tani sekretarin e Tregtisë të Trump-it, nëse Robert F. Kennedy Jr. mund të bëhej sekretar i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore. “Sigurisht që jo,” tha Lutnick, duke e trajtuar pyetjen sikur të ishte absurde.
Gjatë periudhës së tranzicionit, senatori Thom Tillis, republikan nga Karolina e Veriut, u tregua i indinjuar kur demokratët e pyetën Pam Bondi, tani prokurore e përgjithshme e Trump-it, nëse ajo dhe presidenti i zgjedhur mund të konsideronin falje të përgjithshme për kryengritësit e 6 janarit. “Unë isha anëtari i fundit që doli nga Senati më 6 janar,” tha Tillis. “Kalova pranë shumë oficerëve të zbatimit të ligjit që ishin lënduar. Më duket e vështirë të besoj se presidenti i Shteteve të Bashkuara, apo ju, do të shikonit faktet që u përdorën për të dënuar njerëzit e dhunshëm më 6 janar dhe të thoshit se ishte thjesht një moment i papërmbajtur.”
Vetëm muajin e kaluar, përfaqësuesi Dan Crenshaw nga Teksasi, i cili është si një justifikues i Trump-it ashtu edhe një mbështetës i Ukrainës, këmbënguli se kur Trump e fyen presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në fakt është një shenjë afeksioni. “Trump ka tendencën të flasë në atë mënyrë me miqtë e tij,” tha Crenshaw. “Ai ka tendencën të flasë më mirë me armiqtë e tij. Pra, nëse ai flet me ju në atë mënyrë, kjo ende do të thotë që jeni miku i tij.”
Disa nga këta burra mund të kenë qenë qëllimisht të pandershëm, por ka mundësi që këtu të veprojë edhe një shkallë e vetë-mashtrimit. Në katër vitet që Trump ishte jashtë detyrës, një amnezi e çuditshme për sundimin e tij të paparashikueshëm u përhap në gjithë vendin, duke u dhënë njerëzve mundësinë t’i projektonin atij shpresa krejtësisht të shkëputura nga realiteti. Mund ta quani këtë fenomen, duke huazuar një frazë, ‘Sindromën e Çmendurisë ndaj Trump-it’.
E djathta shpiku termin ‘Sindroma e Çmendurisë ndaj Trump-it’ për të hedhur poshtë analizat mbi prirjet e tij autokratike, gënjeshtrat kompulsive dhe karakterin e tij përgjithësisht të neveritshëm, si një histeri liberale. Për konservatorët që nuk duan të përballen me kritika të mirëfillta për liderin e tyre, ky term funksionon si një klishe që e ndalon mendimin, një koncept që shpesh përdoret nga studiuesit e kulteve për të përshkruar formulime ideologjike që e bllokojnë të menduarit kritik. ‘Sindroma e Çmendurisë ndaj Trump-it’ nënkupton se nëse dikush ju thotë diçka për Trump-in që nuk doni ta dëgjoni, ai person duhet të jetë i çmendur.
Por çmenduria e vërtetë qëndron në refuzimin ose paaftësinë për ta parë Trump-in ashtu siç është. Disa muaj më parë, nëse dikush do të kishte parashikuar se Trump do të ndërpriste ndarjen e inteligjencës me Ukrainën, do të shkatërronte USAID-in, do të lironte të gjithë të dënuarit e 6 janarit, do të vendoste vartësin e tij Kash Patel në krye të FBI-së dhe do të na kthente në një armik të urryer të Kanadasë, do të ishte akuzuar për urrejtje të çmendur politike. Siç shkroi Nick Catoggio në ‘The Dispatch’, mandati i dytë i Trump-it “po formësohet të jetë pikërisht ai që katastrofistët mendonin se do të ishte mandati i tij i parë.”
Do të argumentohej se katastrofistët kishin të drejtë edhe për mandatin e parë të Trump-it, i cili ishte plot sadizëm, paaftësi dhe korrupsion, dhe kulmoi me një përpjekje për grusht shteti. Por nëse nuk ishte aq katastrofik sa mund të kishte qenë, kjo ndodhi sepse figurat e establishmentit shpesh e frenonin atë. Periudhat e stabilitetit relativ të siguruara nga “të rriturit” i bënë njerëzit të binin në vetëkënaqësi mbi dëmin që një Trump i pakontrolluar mund të bënte.
Tani “të rriturit” janë zhdukur, por mbrojtësit e Trump-it ende po shtiren, ndoshta edhe ndaj vetes, ashtu si ndaj të tjerëve, se ekziston një rend mes kaosit. Pasi Trump e poshtëroi dhe u përpoq ta përulte Zelenskyn, prezantuesi i radios Glenn Beck e shpjegoi këtë duke thënë se në të vërtetë ai po luante shah pesë-dimensional kundër Rusisë.
Plani i Trump-it për t’i dhënë fund luftës, tha Beck, i lejon Vladimir Putinit të “kthehet në shtëpi duke shpallur një fitore, por të gjithë e dinë se në të vërtetë ai humbi,” sepse pushtoi vetëm një të pestën e territorit të Ukrainës, dhe Amerika, jo Rusia, do të përfitojë nga mineralet e rralla të Ukrainës. Një mesazh i ishte dërguar Putinit, tha Beck: “Hyr në Poloni dhe shiko çfarë do të ndodhë me ty, nëse e bën këtë. Ideja se Rusia mund të përshkojë pa pengesa Europën tani është provuar si e pavërtetë!”
Në disa mënyra, është e kuptueshme që republikanët do t’i atribuonin Trump-it virtyte të fshehta, duke pasur parasysh si sukseset e tij historike politike, ashtu edhe pasurinë e tij në rritje të shpejtë. Kundërshtarët e Trump-it e kanë nënvlerësuar vazhdimisht lidhjen e tij me një pjesë të madhe të elektoratit amerikan, dhe fitoret e tij të pamundura e kanë bërë atë të duket, të paktën për aleatët e tij, si një figurë pothuajse mistike. Dhe nëse vërtet besoni se sistemi kapitalist amerikan shpërblen meritën dhe jo thjesht guximin dhe mashtrimin, pasuria që Trump ka nxjerrë nga pozita e tij sugjeron një farë gjeniu. Ai vazhdon të fitojë. Me siguri ai e di çfarë po bën?
Megjithatë, duhet të jetë e qartë se aftësia e jashtëzakonshme si një demagog nuk përkthehet domosdoshmërisht në mençuri si një udhëheqës. Nëse servilët e Trump-it refuzojnë ta pranojnë këtë, mund të jetë sepse përballja me realitetin, që ata janë bashkëpunëtorë në shpërbërjen e një superfuqie dikur të madhe, është njëkohësisht e turpshme dhe e frikshme. Më e lehtë është të shpikësh një Trump që nuk ekziston, një strateg dinak, lëvizjet e politikave të të cilit drejtohen nga një logjikë strategjike e padukshme.
Duke folur në samitin ‘DealBook’ të ‘The New York Times’ në dhjetor, themeluesi i Amazon-it, Jeff Bezos, tha se Trump ishte pjekur gjatë tetë viteve të fundit. “Ajo që kam parë deri tani është se ai është më i qetë se herën e parë, më i sigurt, më i vendosur,” tha Bezos. Mua më duket si Sindroma e Çmendurisë ndaj Trump-it.
Nga Michelle Goldberg, The New York Times/ Përshtati në shqip