Vila në Palasë/ Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestron e pronës së ish-bashkëshortes së Arben Ahmetaj

2 Min Read

TIRANË – Apeli i GJKKO-së ka lënë këtë të premte në fuqi sekuestron e pronës së Albina Mançkës, ish-bashkëshortes së ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

Prona është një vilë në Palasë, për të cilën Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza se është produkt i korrupsionit, por vetë Mançka deklaruar se vila që i është sekuestruar, ia ka lënë shoqja e saj, e cila jeton në Zvicër.

Ndërkohë që kjo e fundit kishte bërë ankimin në Gjykatën e Apelit për heqjen e skuestros, por kërkesa e saj është rrëzuar këtë të premte. 

Njoftimi i Gjykatës:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare znj. Saida Dollani, sot më 07.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 63, datë 27.02.2025 regjistrimi, kthyer për rishqyrtim me një tjetër trup gjykues nga Gjykata e Lartë, pas prishjes së vendimit nr. 189, datë 07.10.2024 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar – disponuar mbi ankimin e paraqitur nga ankuesja E.D., ndaj vendimit nr. 449 akti, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për heqjen/ndryshimin e masës së sigurimit pasuror, dhe vendosi:

– Miratimin e vendimit nr. 449, datë 31.07.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

SPAK ka sekuestruar dy vila, një në Palasë dhe një në Hamallaj, dy llogari bankare, disa apartamente, mes tyre edhe atë në të cilin jeton ish bashkëshortja e Ahmetajt, që sipas akuzës janë produkte të korrupsionit. Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij ndodhen jashtë Shqipërisë, që prej momentin kur GJKKO miratoi masën e sigurisë ndaj Ahmetajt, atë të “arrestit në burg”. 

Vetë Ahmetaj akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale: pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion pasiv; të lidhur me të ashtuquajturën afera e incineratorëve. Vetë Ahmetaj ka hedhur poshtë akuzat duke pretenduar se nuk lidhje me asnjërën prej tyre. 

Share This Article
Leave a Comment