Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump pritet të firmosë një urdhër ekzekutiv që synon qëllimin e tij të hershëm për të shfuqizuar Departamentin e Arsimit të SHBA-ve, raporton “Wall Street Journal.”
Urdhri mund të nënshkruhet sot, të enjten, sipas gazetës, e cila i referohej personave në dijeni të çështjes, por pa i identifikuar ata. Shtëpia e Bardhë dhe departamenti nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.
Presidenti Trump ka bërë vazhdimisht thirrje për eliminimin e departamentit, duke e quajtur veprimtarinë e tij “një mashtrim të madh”.
Ai propozoi mbylljen e tij që në mandatin e parë si president, por Kongresi nuk veproi, raporton The Guardian.
Republikanët kanë kërkuar prej kohësh mbylljen e departamentit. Sekretarja e Arsimit Linda McMahon, e cila u konfirmua nga Senati të hënën, ka mbrojtur planin e Presidentit Trump për të mbyllur agjencinë.
Por mbrojtësit e Departamentit thonë se është thelbësore që të ruhen standardet e arsimit të lartë publik si dhe akuzojnë republikanët se po përpiqen ta shdërrojnë arsimimin, në fitimprurës.