Arrat dhe drithërat zgjasin jetën tuaj ndërsa mishi i kuq (apo i përpunuar) dhe pijet me sheqer e shkurtojnë atë. Është ky rezultati i një studimi të bazuar në 41 analiza sistematike që përfshinë mbi 1 milion njerëz. Në studim morën pjesë edhe studiues nga Universiteti i Bolonjës.
Studimi është botuar në revistën “Advances in Nutrition” ekzaminoi ndikimin e 14 grupeve ushqimore në rrezikun e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet. Në analizë u morën drithërat (natyrale dhe të rafinuara), frutat, perimet, arrat, bishtajore, peshku dhe produktet e tij, vezët, qumështi dhe produktet e tij, mishi dhe produktet e tij (përfshirë mishin e përpunuar dhe të papërpunuar si dhe sheqerin).
“Mirë” dhe “keq”
Rezultatet janë të qarta dhe në një farë mënyre, mund të themi edhe interesante. Një dietë shumë e pasur me arra, drithëra, fruta, perime dhe peshk është e lidhur fort me një reduktim të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet. Këto grupe ushqimore (veçanërisht arrat dhe drithërat) luajnë një rol mbrojtës në shëndetin e përgjithshëm dhe jetëgjatësinë. Edhe pse në një masë më të vogël, ekziston gjithashtu një lidhje midis konsumit të lartë të bishtajoreve dhe mishit të bardhë dhe një rreziku më të ulët të vdekjes.
Përkundrazi, konsumimi i shpeshtë i mishit të kuq dhe të përpunuar dhe pijeve me sheqer lidhet me një rritje të vdekshmërisë. Prandaj këto ushqime duhet të kufizohen sa më shumë që të jetë e mundur nëse dëshironi të jetoni një kohë të gjatë. Konsumi i lartë i sheqernave të shtuara, drithërave të rafinuara dhe vezëve u zbulua të jetë i lidhur ndjeshëm me një rritje të vdekshmërisë.
Së fundi, sa u përket produkteve të qumështit, nuk u gjet asnjë lidhje me jetëgjatësinë, as pozitive dhe as negative.
Ushqime esenciale
“Gjetjet tona konfirmojnë se jetëgjatësia lidhet me rritjen e konsumit të arrave, drithërave, frutave, perimeve dhe peshkut, të cilat të gjitha lidhen qartë me një shkallë më të ulët të vdekshmërisë”, – shpjegojnë studiuesit. Këto ushqime janë përgjithësisht të pasura me lëndë ushqyese thelbësore, duke përfshirë vitamina, minerale, fibra dietike dhe yndyrna të shëndetshme, të cilat janë thelbësore për minimizimin e inflamacionit, përmirësimin e shëndetit metabolik dhe parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme si sëmundjet kardiovaskulare, diabeti i tipit 2 dhe kancerit.
Ushqime të tilla përmbajnë antioksidantë dhe substanca bioaktive që ndihmojnë në reduktimin e stresit oksidativ, duke ndihmuar në përmirësimin e funksionit imunitar dhe funksionit endotelial (endoteli është indi që rreshton pjesën e brendshme të mureve të zemrës, enëve të gjakut dhe enëve limfatike, duke formuar një pengesë nga jashtë).
Yndyrna dhe sheqerna të ngopura
Në të kundërt, konsumi i lartë i mishit të përpunuar, mishit të kuq të papërpunuar dhe pijeve të ëmbla me sheqer shoqërohet me një rrezik në rritje të vdekshmërisë. Nivelet e larta të yndyrave të ngopura që gjenden në mishin e kuq (dhe të përpunuar) ashtu edhe nivelet e larta të sheqernave të lira shoqërohen me inflamacion, rezistencë ndaj insulinës dhe stres oksidativ.
Inflamacioni kronik dhe stresi oksidativ janë procese të njohura që nxisin shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, kancerit dhe patologjive të tjera. Studimi i ri konfirmon se dieta luan një rol themelor në zhvillimin e shumë sëmundjeve jo të transmetueshme, të cilat janë përgjegjëse për afërsisht dy të tretat e të gjitha vdekjeve në nivel global (mbi 66%), me sëmundjet ishemike të zemrës (furnizimi i pamjaftueshëm me gjak dhe oksigjen në muskulin e zemrës) në krye të listës si shkaku kryesor i vdekjeve.
Parandalimi i sëmundjeve
Marrëdhënia midis dietës dhe jetëgjatësisë ndërmjetësohet nga faktorë të ndryshëm metabolikë dhe kardiovaskularë që duhet të merren parasysh, duke përfshirë hipertensionin, hipergliceminë, një profil jonormal të lipideve dhe një indeks të lartë të masës trupore.
“Ky studim nxjerr në pah se si dieta luan një rol themelor në parandalimin e sëmundjeve të tilla si hipertensioni, diabeti dhe problemet kardiovaskulare. Rezultatet ofrojnë njohuri të rëndësishme për hartimin e udhëzimeve dhe masave të shëndetit publik” – thanë studiuesit. ©Corriere della Sera, LAPSI.al