Do ta çojmë Shqipërinë aty ku shumë njerëz nuk e imagjinojnë

2 Min Read

Kreu i PD, Sali Berisha zhvilloi një takim me strukturat e Partisë Demokratike në Durrës, ku theksoi rëndësinë e angazhimit të opozitës për të sjellë ndryshimin që sipas tij, kërkojnë shqiptarët. Ai u prit me entuziazëm nga mbështetësit, të cilëve iu drejtua me një mesazh mbi vizionin e tij për të ardhmen e vendit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha foli për konceptin e “Shqipërisë Madhështore”, duke theksuar se kjo nuk është një ide abstrakte, por një realitet i provuar nga qeverisja e mëparshme demokrate.

Berisha kritikoi qeverinë aktuale për mungesën e investimeve strategjike, duke përmendur ngecjen në sektorin energjetik dhe mungesën e projekteve të reja për gazifikimin e vendit. Ai vuri në dukje se projektet madhore si TAP dhe hidrocentralet u realizuan gjatë qeverisjes së tij dhe se sot vendi ka potencialin për t’u bërë një “superfuqi reale e energjisë në rajon” falë burimeve natyrore që ofron.

Në përfundim, ai bëri thirrje për mobilizim maksimal deri më 11 maj, duke e cilësuar këtë datë si një moment historik për rikthimin e demokracisë dhe ndalimin e shpopullimit të vendit. “Programi ynë ‘Shqipëria Madhështore’ nuk është një fantazi, por një vizion i fuqishëm dhe real, që do ta çojë Shqipërinë aty ku shumë njerëz nuk e imagjinojnë,” tha ai.

Share This Article
Leave a Comment