BRUKSEL- Liderët e Bashkimit Europian do të takohen sot në një samit të posaçëm të Këshillit Evropian për mbrojtjen europiane dhe Ukrainën. Këshilli Europian kanjoftuar se në samit do të diskutohet se si BE-ja mund të mbështesë më tej Ukrainën dhe parimet që duhet të respektohen në vazhdim.
Në këtë kontekst, theksohet ata do të shkëmbejnë pikëpamje mbi kontributet evropiane për garancitë e nevojshme të sigurisë që kërkohen për të siguruar një paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Në takim është ftuar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Këshilli Europian njoftoi se mbledhja do të bazohet në takimin e 3 shkurtit në Bruksel, kur liderët diskutuan se si të forcohet mbrojtja europiane në aspektin e aftësive kolektive, financimit dhe partneriteteve strategjike”. Liderët europianë janë përpjekur të forcojnë mbrojtjen e tyre dhe të mbështesin Kievin, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, vijoi me avancimin e drejtpërdrejtë të negociatave me Rusinë për t’i dhënë fund luftës.
Trump gjithashtu ka pezulluar dërgimin e të gjithë ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën, pas konfrontimit të tij me Zelenskyn në Shtëpinë e Bardhë javën e kaluar. Dy ditë më parë presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen prezantoi një plan për të mobilizuar rreth 800 miliardë euro për mbrojtjen e Evropës dhe për të ndihmuar në ofrimin e mbështetjes urgjente ushtarake për Ukrainën.